Para stacionit kryesor të Policisë së Kosovës, dhjetëra aktivistë të VV-së kanë hedhur bojë me ngjyrë të kuqe në shenjë proteste për “mos reagimin e policisë për dhunën ndaj grave".Pas aksionit policia ka arrestuar disa prej tyre, përfshi këtu edhe deputeten e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci. 

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se pas aksionit të sotëm të aktivistëve të saj, janë arrestuar edhe 6 aktivistë të tjerë.

“Para pak çastesh Policia e Kosovës arrestoi 7 aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ndër ta dhe një deputete të Kuvendit të Kosovës, teksa po zhvillonin aksion simbolik pranë Stacionit të Policisë në lidhje me neglizhencën e institucioneve të Republikës së Kosovës për dhunën ndaj grave”, thuhet në njoftim.

Të arrestuarit e tjerë veç deputetes sipas VV-së janë: Rinë Zhitia, Diellëz Arifi, Elona Kurti, Çlirim Gërbeshi, Atdhe Arifi, Patrik Domi.

E gjithë kjo protestë e mori pikënisjen nga krimi i dyfishtë që ndodhi në Gjakovë mbrëmjen e 7 gushtit teksa një kryefamiljar vrau gruan dhe vajzën e tij 9-vjeçe. Pjetër Ndrecaj ekzekutoi me armë zjarri, kallashnikov bashkëshorten e tij, Valbonën dhe të voglën menjëherë sapo mbërriti në shtëpi. 

Foto nga protesta e aktivistëve të Vetëvendosje