PRISHTINË.-Në raportin e 24 orëve të fundit të Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës-Veri (me shumicë serbe), bëhet e ditur se një qytetar ka lajmëruar gjetjen e një mjeti shpërthyes në Boletin (fshat shqiptar), komuna e Zveçanit.
Njësiti policor ka bërë sigurimin e vendngjarjes, ndërsa njësiti për deminim i KFOR-it ka bërë shpërthimin në mënyrë të sigurt dhe pa incidente.
Policia nga rajoni i veriut të Mitrovicës sot bën të ditur se një shqiptar kosovar ka raportuar se persona të panjohur i kanë vjedhur baterinë e veturës së tij civile, në rrugën "Nemanjina" në veri të këtij qyteti dhe se në Leposaviç rreth 30 serbë ndërsa udhëtonin me një autobus për në Serbi në dy lokale private, kanë marrë pije të ndryshme duke mos e bërë pagesën e tyre dhe se rreth 20 punëtorë serbë të komunës së Zubin Potokut kanë protestuar duke shprehur pakënaqësitë rreth mospranimit të pagave të tyre./ATSH/