/ATSH/. - Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në konferencën përmbyllëse të projektit kundër Krimit Ekonomik në Kosovë - PECK, ku u bë lansimi i raportit të vlerësimit mbi pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare në fushën e luftimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit, (LPP/LFT).
Në këtë konferencë, ministri Kuçi duke folur për rëndësinë e këtij projekti, tha se PECK-u ka qenë një ndër projektet më të rëndësishme që BE, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe institucionet e tjera kanë realizuar në Kosovë.
Ministri Kuçi tha se lufta kundër korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe financimit të luftimit të terrorizmit, është një proces i vështirë dhe sfidues. Në angazhimin tonë të deritanishëm, shtoi Kuçi, kemi hedhur hapat e parë duke krijuar parakushtet ligjore dhe resurse për të luftuar këto dukuri.
"Arkitektura të cilën e kemi ndërtuar, është në fazën e saj fillestare, por që ka dhënë rezultate të dukshme. Legjislacioni nga ky raport, i Kodit Penal dhe Procedurës Penale është adekuat për luftimin e këtyre tri dukurive, por kemi vërejtur edhe rekomandimet ku shihet nevoja për amandamente në mënyrë  që të lehtësohet puna, qoftë e hetuesve, prokurorëve, por edhe e gjyqtarëve", tha Kuçi.
Ai ka kërkuar që të ketë një partneritet me BE-në dhe SHBA-në si dhe vendet e rajonit, në mënyrë që të luftohen këto dukuri, në veçanti tha ai, do të kërkohet bashkëpunim në bartjen e eksperiencave për përgatitjen e kuadrove për kriminalitetin kibernetikë dhe atë financiar.