PRISHTINË, 11 Shkurt /ATSH/.-Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së ka shpallur trembëdhjetë grante të reja në mbështetje të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë. Projektet e dhëna kohët e fundit do të mbështesin përpjekjet e shoqërisë civile në promovimin e dialogut mes qeverisë dhe shoqërisë civile, fuqizimin e gruas, promovimin e përfshirjes sociale dhe të të drejtave të komuniteteve pakicë, promovimin e kulturës dhe të të drejtave të njeriut.
Samuel Zhbogar, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së tha se, "të gjitha instrumentet tona për mbështetjen e shoqërisë civile kanë një objektiv kryesor të përbashkët: ne duam të mbështesim zhvillimin e një shoqërie civile, që është pjesëmarrëse aktive në debate publike, që ka kapacitet për të ndikuar në proceset e politikëbërjes dhe vendimmarrjes dhe në këtë mënyrë promovon të drejtat e njeriut dhe reformën demokratike".
Këto projekte implementohen nga "Rrjeti i Grave të Kosovës", Platforma CIVIKOS në partneritet me CNVOS; "Reggio Terzo Mondo" me "Koalicionin e Strehimoreve të Kosovës" dhe "CCAER"; "World Vision" në partneritet me Fondacionin "Terre des Hommes", "Sport Sans Frontières", "Qendra për Orientim Shoqëror" në partneritet me "Qendrën për Paqe dhe Tolerancë" dhe "Future without Fear"; "Save the Children International" me "Handikos" dhe "Save the Children Suedi"; "Aktiv" në partneritet me "Qendrën për Paqe dhe Tolerancë"; OJAZAS në partneritet me "Qendrën për Fuqizim Rinor"; "Qendra për Iniciativë të Punëdhënësve" me "Qendrën për Zhvillimin e Biznesit Kragujevc", "Akcija Zajednicke Pomoci", dhe "Të Drejtat e Gruas" në partneritet me "Rrethin e Motrave Serbe".
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) prezantoi qendrën e resurseve të shoqërisë civile, të mbështetur nga BE-ja, dhe paraqiti mbështetjen e tij për shoqërinë civile në Kosovë në të ardhmen./b.j/k.s/