PRISHTINË, 30 Nëntor /ATSH-B.Jashari/.- Marrëveshja përfundimtare për bashkëqeverisje PDK-LDK pritet të nënshkruhet javën e ardhshme, pas pajtimit në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak në mbrëmjen e 19 nëntorit, që u pasua edhe me tre takime tjera të liderëve dhe me punën e grupeve për finalizim. "Presim që marrëveshjen përfundimtare ta nënshkruajmë javën e ardhshme kur do të bëhet ndarja e përgjegjësive institucionale", ka paralajmëruar kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, pas takimit të katërt me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, në 27 nëntor.
Në takim ishte biseduar "rreth punës së grupeve punuese për programin qeveritar dhe për ndarjen e përgjegjësive institucionale" dhe "ishte konkludim i përbashkët se është bërë një punë efektive në kuadër të bashkëpunimit ndërpartiak, PDK-LDK, që qeverisja të jetë e suksesshme në realizimin e projekteve dhe axhendës". Thaçi dhe Mustafa në takimin në 25 nëntor kanë paralajmëruar se "subjektet e tyre politike dhe grupet punuese për harmonizimin e koalicionit bashkëqeverisës do të jenë të gatshme të ftojnë seancën e Kuvendit të Kosovës për t'i zgjedhur organet e këtij institucioni dhe votuar Qeverinë dhe programin e saj qeveritar në 8 dhjetor 2014?.
Takimet e grupeve punese, pas pushimit të festës e fundjavës, do të vazhdojnë të hënën dhe "ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për harmonizimin e programit qeverisës", paralajmëron media kosovare, sipas së cilës LDK do të marrë postin e kryeministrit dhe 7 ministri, PDK 8 dhe 4 minoritetet, por ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nga partitë e koalicionit më të ri.
Njoftimet zyrtare priten në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes së finalizuar nga liderët e PDK-së dhe LDK-së. /a.ke/











