Kosovë/ Ekip negociator për dialog me Serbinë, më 8 janar 2019 takimi në Bruksel, synohet njohja e pavarësisë

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe ekipi negociator për dialog me Serbinë, kanë zhvilluar takimin e parë të përbashkët për t’i diskutuar hapat e ardhshëm në kuadër të fazës finale të bisedimeve në Bruksel, që po lehtësohen nga Bashkimi Evropian.

Takimi ishte thirrur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Aty kanë marrë pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj si dhe bashkëkryesuesi i ekipit negociator Shpend Ahmeti. Pas takimit është bërë e ditur se ekipi shtetëror i Kosovës më 8 janar të vitit 2019, është i ftuar për një takim në Bruksel.

Ata janë zotuar për një proces transparent, duke besuar se rezultat i dialogut duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, si një lloj parakushti që i mundëson Kosovës më pas anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe përshpejtim në anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se Kosova është në rrugë të mirë dhe kërkoi që në këtë proces të jenë të gjithë së bashku. Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se duke qenë më të koordinuar dhe të bashkuar, do të ketë, sipas tij, edhe sukses në angazhimet për arritjen e një marrëveshje finale Kosovë – Serbi.

“Ky unitet i qëndrueshëm i bartëse të institucioneve, ekipit negociator, shoqërisë civile është një thirrje edhe për hezituesit e këtij procesi që të marrin përgjegjësi për përmbylljen e këtij procesi final Kosovë– Serbi”, tha Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri, Ramush Haradinaj tha se mirëpret çdo ide dhe sugjerim rreth dialogut Kosovë - Serbi, por asnjëherë, në tavolinat e bisedimeve nuk do të flitet apo negociohet për shkëmbim të territoreve.

“Qeveria e vendit, me qëllim që ekipi negociator të vihet në korniza ligjore, ka miratuar projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror si dhe ka sponsorizuar hartimin e draft-marrëveshjes, librin e madh me shumë kapituj, që është shkruar nga ekspertët e Qeverisë, duke e pajisur ekipin negociator të vendit me një materie të gjallë, gjithëpërfshirëse dhe të hapur”, theksoi Haradinaj.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë