Kosovë, fushata hapet me premtime të mëdha dhe me shkelje masash anti-COVID

Foto ilustruese nga fushata

Fushata elektorale e zgjedhjeve të 14 shkurtit është hapur zyrtarisht të mërkurën me premtime të mëdha dhe tubime të shfrenuara, pavarësisht se jemi në mes të një pandemie. Tre kandidatët për kryeministër, Albin Kurti, Avdullah Hoti dhe Enver Hoxhaj zgjodhën të shpalosin platformën e tyre politike mes qindrave mbështetësve të cilët ishin mbledhur pa maska. Shumica e premtimeve lidheshin me reformimin e sistemit shëndetësor dhe përballimin e pandemisë, edhe pse kandidatët ishin duke shkulur me këmbë masat kufizuese.

Fushata do të zgjasë dhjetë ditë, ku subjektet politike do të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën e 14 shkurtit. Por pas një viti plot trazira politike dhe kriza të njëpasnjshme, të gjitha partitë politike e kanë të qartë se kjo nuk do të jetë e lehtë.

Kurti e nisi fushatën në Pejë duke përsëritur se do të kryesojë listën e Lëvizjes Vetëvendosje, pavarësisht se KQZ-ja e ka përjashtuar nga gara pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.  Lista e Vetëvendosjes po udhëhiqet në fakt nga Vjosa Osmani, e cila jo vetëm që nuk është pjesë e kësaj partie, por ka qënë kundërshtarja kryesore e Kurtit në zgjedhjet e kaluara. Megjithatë, ish-kryeministri bëri të pamundurën t’u kujtonte votuesve se përfaqësuesi kryesor i Vetevendosjes ishte ai.

“Kryesuesi i listës jam unë, numri dy është Vjosa Osmani, udheheqëse e detyrës së Presidentit dhe presidente e ardhshme e Kosovës, numri 3 është Glauk Konjufca, ish-ministër i Jashtëm dhe Diasporës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Kurti.

Ai ka treguar pikat kryesore të programit të Vetëvendosjes duke bërë edhe premtimin e parë: vënin nën kontroll të pandemisë në Kosova.

“Viti i kaluar ka patur sfida të shumta, por ngjarja më e madhe ka qenë pandemia COVID-19. Ajo na ka testuar si kurrë më parë. Për t’i dhënë fund pandemisë, ne do të vaksinojmë 60% të  popullsisë së vendit. Me qeverisjen tonë do të reformojmë spitalet dhe klinikat tona, të cilat do të jenë funksionale me kushte dhe standarde europiane. Gjithashtu, do ta rrisim edhe buxhetin në shëndetësi dhe shumë pak qytetarë do ta kenë nevojën për të shkuar jashtë shteti për të kërkuar shërim”, premtoi ai.

Kurti u shpreh i sigurt për fitoren, duke sjellë në vëmendje sondazhet që parashikojnë që VV të marrë deri në 60%  të votave.

“Sondazhet janë duke e treguar se për çdo 10 persona, gjashtë prej tyre janë votues të VV-së. Këto sondazhe po ngjallin frikë tek kundërshtarët, por ne do të vazhdojmë të punojmë sa më shumë në këtë fushatë zgjedhore”, u shpreh Kurti.

Krah tij, Osmani tha po ashtu se kjo fushatë do të përmbyllet me një fitore masive për të dhe Kurtin.

https://www.youtube.com/watch?v=Cy2Ihcut4WM

“Ky mund do të jetë një referendum që do ta kthejë Kosovën në rrugë të drejtë, shpresoj që kjo frymë të vazhdojë anë e mbanë Kosovës. Faleminderit të gjithve që na jeni bashkuar në këtë hapje të fushatës, përmbyllja e së cilës do të jetë fitorja”, tha Osmani.

Kundërshtari i saj më i madh për postin e presidentit Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës çeli fushatën në qytetin e Prizrenit,  nga ku kujtoi Lidhjen e Prizrenit dhe përsëriti edhe njëhërë iniciativën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

“Nëse nuk e shohim Kosovën në dyert e NATO atëherë kemi të drejtën për të vendosur për bashkimin me Shqipërinë”, deklaroi Haradinaj, duke marrë kështu një nga shtyllat kryesore të platformës së Vetëvendosjes. Ish-kryeministri deklaroi madje se në planin e tij është gjithashtu edhe zhvillimi i një referendumi për bashkimin me Shqipërinë.

“Thesi” i premtimeve politike është hapur edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila e nisi fushatën me një video të publikuar në rrjete sociale, ku kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, premtoi pagë minimale 300 euro pa dallim moshe.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, sulmoi në mënyrë inderekte Albin Kurtin, duke thënë se Kosova nuk mund të zgjidhte një diktator që kërkon pushtet absolut duke eksperimentuar më arritjet shtet-formuese dhe demokratike.

“Me votën e lirë më 14 shkurt, duke i besuar LDK-së dhe numrit 132, ju qytetarët e Kosovës do të përcaktoheni për rrugën e integrimit, do të refuzoni përpjekjet për instalimin e pushtetit autoritar në zemër të Europës”, tha Mustafa.

Sipas tij, kundërshtarët politikë të LDK-së, janë në gjendje që për pushtet ta djegin shtetin. “Ne nuk duam pushtet absolut, ashtu siç po kërkojnë rivalët tanë. Duam demokraci dhe ndarje të pushteteve. Duam forcimin e shtetit të Kosovës, të një shteti që nuk ndahet, nuk pjesëtohet dhe nuk bashkohet. Integrohemi vetëm në Bashkimin Evuopian. Jemi miq me të tjerët, por miqësia me SHBA-të është e veçantë. Lidhja Demokratike e Kosovës e ka respektuar vullnetin tuaj në zgjedhjet e kaluara për të bërë koalicion me Vetëvendosjen. Por, për 50 ditë qeverisje u provua, se ata, jo vetëm që nuk janë të aftë për ta qeverisur shtetin, por janë të gatshëm të dezertojnë nga përgjegjësia përballë qytetarëve dhe partnerëve tanë. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës cenohet në themel nga prishja e marrëdhënieve me partnerët tanë euroatlantikë”, tha kreu i LDK-së.

Kandidati i Partisë Demokratike për kryeministër, Enver Hoxhaj e ka nisur nga ana tjetër fushatën elektorale në qytetin e Vushtrrisë. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ai shihet në një tubim masiv, ku qytetarët po qendrojnë pa maska dhe pa distancim social. Ndërkohë që Hoxhaj po mbajte fjalimin e parë në nisje të fushatës, një numër i madh qytetarësh dhe simpatizantësh valvisin flamujt e UÇK-së dhe PDK-së.

Pamjet e tubimeve madhështore politike kanë alarmuar ekspertët dhe mjekët, të cilët kanë ngritur alarmin se pandemia në Kosovë do të dalë nga kontrolli. Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë se i ka bërë disa herë apel partive politike që të respektohen masat kundër koronavirusit, por sipas tij, askush nuk i ka marrë parasysh.

Ai ka deklaruar se qytetarët janë shumë të rrezikuar nga variant i ri i Covid-19 dhe se përhapja e tij gjatë fushatës mund të shkaktojë një valë tjetër.

“Unë për disa ditë kam bërë apel publik që të respektojnë masat anti-COVID, jemi duke rrezikuar shumë, kur s’jemi askund me vaksinën. Sindikata do ta përcjellë me vëmendje situatën dhe tubimet politik sepse nëse vazhdojmë kështu në vend mund të ndodh një katastrofë shëndetësore”, ka thënë ai.

Syla gjithashtu ka theksuar se shtetet e tjera në Europë janë duke u mbyllur për ta parandaluar përhapjen e virusit, por se Kosova është duke bërë një çmenduri.

“Nuk e di çfarë po bëjmë. Tani edhe punonjësit shëndetësorë janë shumë të lodhur. Një e treta e tyre është infektuar me virus. Ne i kemi adresuar kërkesat tona publikisht, por me të vërtetë askush s’po na dëgjon”, ka shtuar ai.

Drejtoria e Inspeksionit tashmë i ka dënuar disa herë paritë politike me nga 2 mijë euro për mosrespektim të masave anti-COVID dhe ka paralajmëruar disa herë se nëse ndërhyhet si duhet në parandalimin e përhapjes së variantit të ri të koronavirusit, ky variant do të bëhet dominues në Kosovë. Por për momentin përparësi e vetme e partive politike duket të jetë fushata elektorale./ Gazeta "SI"

J.GJ./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A do të shkoni të votoni në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Rang kombëtar/ 1 javë para 25 prillit, shqiptarët i japin PS-së mandatin e tretë! Asnjë ndryshim këto 11 ditë për 3 partitë e mëdha