Duke nisur nga dita e sotme në vend hyjnë në fuqi masat e reja anti COVID-19 në Kosovë. Ku ndër të tjera ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, dasmave, fejesave, festave familjare dhe mbrëmjeve të maturës.

Po ashtu, nga data 20 gusht deri më 1 shtator, hyrja në ambientet ku mbahen grumbullimet, festivalet dhe koncertet, aktivitetet sportive dhe kulturore të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona si dhe organizimi i këtyre aktiviteteve, lejohet vetëm nëse pjesëmarrësit kanë certifikatë vaksinimi me një apo dy doza të vaksinës, test PCR negativ të 72 orëve të fundit ose dëshmi se personi e ka kaluar COVID-19. Duke qenë se pala kosovare ka nisur aplikimet e masave shtrënguese si pasojë janë krijuar rradhë të gjata në Morinë në dy anët e kufirit Shqipëri- Kosovë.

Masat u morën nga qeveria e Kosovës pas rritjes së konsiderueshme të rasteve të reja me COVID-19, në veçanti me variantin Delta dhe në përpjekje për të bindur qytetarët për të shtuar vaksinimin.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në mbledhjen e Qeverisë tha se masat e përcaktuara nuk përcaktojnë në asnjë rast obligimin e vaksinimit të detyrueshëm. Që nga fillimi i procesit të vaksinimit në muajin mars, 644.212 doza të vaksinës janë inakuluar gjithsej, ndërsa 221.026 prej tyre i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.

Në të gjithë vendin, numri total i infektimeve ka shkuar në 120.862 ndërsa i viktimave në 2.303.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:37
Masat shtrënguese ndaj COVID në Kosovë, rradhë të gjata në Morinë

 

Pala kosovare ka nisur aplikimet e masave shtrënguese për parandalimin e perhapjes së COVID 19. Si pasojë janë krijuar rradhë të gjata në Morinë në dy anët e kufirit Shqipëri- Kosovë. Për të gjithë qytetarët që udhëtojnë drejt Kosovës nga shtete me rrisk të lartë kërkohen teste PCR dhe dokumentacion tjetër deklarues. Përjashtohen qytetarët që udhëtojnë nga Shqipëria për të cilët aplikimet procedura standarde vetëm për mjetet e identifikimit. Për të shmangur radhët po punohet me procedurë të përshpejtuar.