PRISHTINË, 21 Gusht /ATSH-B.Jashari/.- Në takimin e sotëm të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, të udhëhequr nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, është diskutuar mbi zhvillimet e fundit në varrezën masive të Rudnicës në Serbi, ku gërmohet në kërkim të zbardhjes së fatit të kosovarëve të zhdukur në luftën e para mëse 15 viteve.
Zyra e shtypit e qeverisë së Kosovës bëri të ditur se, gjatë takimit është vendosur që në respektim të procedurave ligjore dhe të drejtës së familjarëve për të ditur për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre, fillimisht do të njoftohen familjet përkatëse mbi identifikimin përmes analizës së ADN-së të 16 personave të identifikuar nga mbetjet mortore të viktimave, të zhvarrosura nga lokacioni i varrezës masive në Rudnicë, të Rashkës.
Krahas procesit të njoftimit të familjeve, Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës i ka propozuar palës serbe datën 26 gusht 2014, si datë të mundshme për fillimin e procesit të riatdhesimit.
Po ashtu, është njoftuar sot edhe identifikimi i 24 personave, nga mbetjet mortore të zhvarrosura në Rudnicë, përfshirë këtu 18 raste të reja dhe 6 ribashkime./m.m/