PRISHTINË, 11 Shkurt /ATSH/.- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, viziton sot komunat Podujevë dhe Gjilan, pas vizitave në dy nga komunat më të prekura nga migrimi ilegal i javëve të fundit Vushtrri dhe Ferizaj me mesazhin se ikja nga Kosova nuk është zgjidhje.
Vizitat pasojnë Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për pengimin e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës, të miratuar në 5 shkurt, në të cilën ditë edhe Presidentja dhe Kryeminsitri së bashku me bartësit e institucioneve përgjegjëse të Kosovës, biseduan për mënyrat e zgjidhjes së çështjes së migrimit ilegal. Po atë ditë, Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa, me ftesë të tyre, gjatë ditës kanë takuar edhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së për të biseduar për bashkëpunimin në çështjen e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës.
Në mbledhjen e djeshme, Komisioni parlamentar për Integrime Evropiane, shprehu shqetësimin lidhur me çështjen e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës. Gjatë diskutimit u theksua se Komisioni do të ftojë në vazhdimësi për raportim ministrat përkatës lidhur me masat konkrete që janë ndërmarrë për parandalimin e migrimit ilegal./b.j/k.s/










