PRISHTINË, 27 Shkurt/ATSH/.- Të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një defiçit tregtar më të lartë për muajin janar 2015 prej 110,8 milionë euro krahasuar me defiçitin prej 109,4 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2014.
KosovaPress citon Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ku thuhet se eksporti i mallrave në muajin janar 2015 kishte vlerën 26,3 milionë EUR, ndërsa importi 137,1 milionë EUR. Kjo është një rritje prej (28.4%) për eksport si dhe (5.5%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.
Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit, 62.6% të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 9.9% produktet minerale, 4.9% tekstil dhe artikuj tekstili, 4.7% produktet bimore, 4.1% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 4.1% lëkurë dhe artikuj prej tyre, 3.2% plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, 19.5% të importit e përbëjnë produktet minerale, 13.8% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11.4% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 8.9% produkte të industrisë kimike, 7.0% produktet bimore, 7.0% mjetet e transportit, 6.0% kafshë të gjalla, produkte me origjinë kafshe, (5.4%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre etj.
Lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës partner kryesor tregtar janë vendet e BE-së, të cilat marrin pjesë me 38.1% për eksport dhe 40.5% për import, ndërsa vendet e CEFTA-s me 24.1% për eksport dhe 26.9% për import, në raport me janarin e vitit 2015. Përqindja më e madhe e eksportit ishte në Itali 23.9%, Indi 22.4%, Shqipëri 9.5%, Maqedoni 5.5%, Turqia 4.7 %, Mali i Zi 4.4%, Serbia 4.1% etj.
Ndërsa sipas të dhënave, përqindja më e madhe e importit është nga Serbia 16.0%, Kina 11.3%, Gjermania 10.8%, Turqia 8.0 %, Italia 7.5%, Shqipëria 4.6%, Maqedonia 4.6% etj./m.m/












