PRISHTINË - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e sheh të arsyeshme protestën e thirrur më 24 janar në Prishtinë nga partitë opozitare në vend.
"Partitë politike kanë të drejtë që të ushtrojnë vullnetin e tyre, jashtë parlamentit dhe përmes mekanizmave të tjerë, të cilat i mundëson dhe i garanton vlera e demokracisë", thuhet në deklaratën e KDI-së.
Sipas deklaratës, situata e krijuar së fundi rreth Trepçës si edhe deklarata e pamatur e ministrit për Kthim, Jabllanoviç, ka nxitur reagim qytetar për dinjitetin e tyre dhe për integritetin e shtetit të Kosovës.
"Ndërmarrja Trepça dhe rivitalizimi i saj, që nga paslufta dhe në vazhdimësi është injoruar nga të gjitha qeveritë. Pas sponsorizimit dhe tërheqjes së ligjit për Ndërmarrje Publike në Kuvend, deklarimeve të Qeverisë së Serbisë për pronësi mbi këtë gjigant, si dhe spekulimeve mbi borxhet marramendëse të kësaj ndërmarrje, Qeveria e Kosovës me improvizimet e saj shkaktoi paqartësi për gjendjen e Trepçës, duke provokuar kështu me të drejtë rekasion qytetar gjithandej", thuhet më tej.
KDI thekson se, Qeveria e Kosovës, përmes një ligji të veçantë duhet të sigurojë të gjithë qytetarët e Kosovës që kjo pasuri e Kosovës të mos bëhet temë e dialogut me Serbinë, se do të zgjidhë kontestet me aksionarët e pretenduar dhe do të shndërrohet në ndërmarrje publike.
"Gjithashtu, Qeveria e Kosovës duhet të mbajë të përgjegjshëm dhe llogaridhënës të gjithë zyrtarët e saj për deklaratat dhe prononcimet që nxisin urrejtje dhe provokime etnike", thotë KDI.
Instituti Demokratik i Kosovës shprehet se, qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësi të shprehin publikisht vullnetin e tyre për zhvillimet në vend. Sidoqoftë, KDI bën thirrje që protestat qytetare të jenë të qeta, ndërsa partitë opozitare të adresojnë vullnetin e protestuesve në Parlament dhe institucione qeveritare./ATSH/