PRISHTINË, 3 Dhjetor /ATSH/.- Ministri kosovar i Financave, Besim Beqaj, kërkon nga komunat angazhim maksimal në drejtim të menaxhimit efektiv të financave publike. Ai ka theksuar sot se me përkushtim është duke u zbatuar korniza ligjore të financimit për komunat dhe reformat e nisura gjatë proceseve buxhetore, duke aplikuar parimet standarde mbi performancën e mirë në menaxhimin e financave publike, në bashkëpunim me ministritë e linjës, Zyrën e Kryeministrit, Komisionin për Buxhet e Financa në Kuvendin e Kosovës si dhe me partnerët ndërkombëtar si FMN, BB, KE, USAID, OSBE, etj.
Gjatë takimit me kryetarët e komunave, drejtorët e departamenteve të financave dhe zyrtarët kryesorë financiarë, të organizuar nga Ministria e Financave, Ministria e Pushtetit Lokal, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, ministri Beqaj theksoi se procesi i decentralizimit ka forcuar më tej rolin dhe përgjegjësitë e komunave në "vendim-marrjen më afër qytetarëve" si dhe përmirësimin e shërbimeve të ofruara ndaj qytetarit.
Ministri Beqaj u angazhua për një qeverisje të mirë efektive lokale, për vendosmëri për përdorim ligjor, efektiv, efiçient dhe ekonomik të burimeve publike dhe që lartë në axhendën e të gjitha komunave dhe institucioneve të jetë angazhimi për menaxhim efektiv të financave publike./b.j//a.ke/