Kosovë/ KQZ pritet të shpallë të shtunën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 Shkurtit

Kosovë/ KQZ pritet të shpallë të shtunën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 Shkurtit

Foto ilustruese

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet t’i shpallë të shtunën e 15 Marsit rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në fillim të muajit të kaluar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi, tha se komisioni pritet ta mbajë një mbledhje të shtunën, ku në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës.

Zvarritja e shpalljes së rezultateve përfundimtare vjen si pasojë e telasheve me të cilat është përballur KQZ-ja gjatë numërimit të votave, si dhe për shkak të rinumërimit të dhjetëra kutive të votimit dhe ankesave.

Shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre do t’i hapë rrugën formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese ta propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, i fitoi zgjedhjet e 9 Shkurtit, por nuk arriti të marrë shumicën e nevojshme prej 61 deputetëve për ta formuar e vetme qeverinë.

Ajo i siguroi 48 ulëse në Parlamentin me 120 sosh, dhe Kurti është zotuar se partia e tij do ta vazhdojë qeverisjen e vendit.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i fitoi 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 ulëse, Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma 8 ulëse, ndërsa Lisa Serbe 9.

Kurti ka thënë se po pret certifikimin e rezultateve, para se anëtarët e partisë së tij të ulen dhe të shikojnë rrugën përpara.

“Nuk ka ndryshuar situata që ne të kemi qëndrime tjera sa u përket kundërshtarëve tanë. Është bërë luftë hibride kundër Qeverisë sonë dhe LVV-së, dhe kemi dalë fitimtarë, dhe fitimtari duhet dhe do ta formojë Qeverinë e re”, tha Kurti për media ditë më parë.

Tri partitë e mëdha opozitare kanë thënë se nuk do të bëjnë koalicion me LVV-në e Kurtit.

Por, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që është në koalicion me AAK-në, ka thënë hapur se nuk ka “vija të kuqe” përballë koalicioneve të mundshme, qoftë me LVV-në, qoftë me partitë që aktualisht janë në opozitë.

Analistët politikë besojnë se Kurti llogarit në skenarin e formimit të Qeverisë me minoritetet joserbe, që i kanë 10 vende, si dhe në lëvizjet që mund t’i bëjnë disa deputetë të opozitës aktuale, “për pozita ministrore”. /REL/

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 15 Mars, 07:27

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?



×

Lajmi i fundit

'Kemi dhe një demokrat këtu', Rama në podcast me një nga 5 opozitarët që 'rrëmbeu' një vend në listat e PS-së

'Kemi dhe një demokrat këtu', Rama në podcast me një nga 5 opozitarët që 'rrëmbeu' një vend në listat e PS-së