PRISHTINË, 24 Dhjetor /ATSH-B.Jashari/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim anëtarët e Dhomës Kombëtare Tregtare. Në këtë takim morën pjesë, Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit, Ilir Zhila nga Unioni i Odave Ekonomike të Shqipërisë, Enver Ferizi nga Këshilli i Agrobiznesit Shqipëtar, Menderes Kuqi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veripërendimore, Nagip Arifi, Kryetar i Bujanovcit, Ragmi Mustafa Kryetar i Preshevës, Jakup Gjelisheviqi nga Klubi i Afaristëve të Tivarit si dhe Selatin Gjeloshi nga Klubi i Biznesit nga Ana e Ulqinit.
Përfaqësuesit e bizneseve shprehën përkrahjen e tyre ndaj Kryeministrit mbi fokusin e tij për axhendën qeverisëse, e cila ka për qëllim zhvillimin e sektorit privat. Në të njëjtën kohë, ata shprehën shqetësimin e tyre mbi vështirësitë që sot bizneset ballafaqohen. Përfaqësuesit e bizneseve nga Shqipëria, inkurajuan Kryeministrin që politikat të implementohen në fuqizimin e sektorit prodhues dhe bujqësi. Përfaqësuesit nga Mali i Zi dhe Maqedonia vlerësuan klimën pozitive të bashkëpunimit në mes të bizneseve të tyre me Kosovën, ndërsa përfaqësuesit e Luginës së Preshevës përmendën vështirësitë me të cilat ballafaqohen bizneset e këtij rajoni.
Kryeministri Isa Mustafa theksoi se është me rëndësi që të identifikohen mënyrat për menaxhimin e problemeve që shfaqen ndërmjet bizneseve të këtyre rajoneve duke i lehtësuar ato me rregullativa dhe ligje. Gjithashtu, ai theksoi përkushtimin e tij në përmirësimin e kushteve të jetesës për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kryeministri gjithashtu ripërsëriti rëndësinë që aktiviteti ekonomik në vend të nxitet dhe zhvillohet nga sektori privat./a.ke/