PRISHTINË, 23 Shkurt/ATSH/.-Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, në kuadër të vizitës në Kosovë, ka takuar sot edhe përfaqësues të opozitës, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Donika Kadaj-Bujupi, kryetare e Grupit Parlamentar të AAK-së .
Në takimin, i cili është mbajtur në zyrat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kreun e legjislativit suedez e kanë shoqëruar deputetët në Parlamentin e Suedisë, Adnan Dibrani dhe Andreas  Norlén, si dhe  ambasadori suedez në Maqedoni, Mats Staffansson e ai në Kosovë, Henrik Nilsen.
Kurti e njoftoi Ahlin për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për gjendjen socio-ekonomike dhe për çështjen e emigrimit të qindra-mijëra qytetarëve të Kosovës. "Shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë, papunësia gjithnjë në rritje dhe Mitrovica përherë e ndarë po e testojnë mbijetesën e shtetit të Kosovës", tha Kurti.
Sipas njoftimit, në këtë takim është diskutuar  edhe për shumë çështje të tjera, si EULEX-in, korrupsionin, Gjykatën Speciale, bisedimet me Serbinë, ndikimet ndërkombëtare në politikën kosovare etj./b.j/ ./i.v/ /a.ke/