PRISHTINË, 11 Shkurt /ATSH/.-Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi sot se "pasi Thaçi me Daçiçin para dy vjetësh e ndanë policinë në Kosovë, dje Mustafa me Vuçiçin e ndanë edhe gjyqësorin e prokurorinë".
Kryeministrat e mëparshëm të Kosovës e Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç kanë zhvilluar 23 raunde takimesh në Bruksel, ndërsa në 19 prill 2013 nënshkruan Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të vlerësuar historike.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për drejtësinë në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në takimin e përfunduar në orët e para të ditës së djeshme në Bruksel të raundit 24 të dialogut në nivel të lartë, të parit të kryeministrave të rinj, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç.
Në konferencën e sotme për shtyp të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu deklaruan pikëpamjet e qëndrimet rreth marrëveshjes së të martës në mëngjes në Bruksel. Përfaqësuesit e subjektit politik më të madh opozitar, Lëvizjes Vetëvendosje me 16 deputetë në Kuvendin e Kosovës, mes tjerash u shprehën se "shtrohet pyetja, pse Mustafa po ngutet ta vë nënshkrimin në marrëveshje me Serbinë?".
Kryeministri Mustafa, nëpërmjet një shkrese ka shprehur gatishmërinë për ta njoftuar Kuvendin e Kosovës lidhur me takimin në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Vuçiç.
Kryesia e Kuvendit ka mirëpritur shkresën e kryeministrit, raportimi i të cilit pritet pas kthimit nga Brukseli.
"Sot në mëngjes përfunduam një marrëvëshje shumë të rëndësishme, e cila siguron funksionimin e gjyqësorit në të gjithë territorin e Kosovës", u shpreh dje kryeministri Mustafa./b.j/k.s/