PRISHTINË - Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, i kërkoi sot kryeministrit Isa Mustafa, të shkarkojë nga detyra zv/kryeministrin dhe ministrin për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç.
Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare, Selimi theksoi se "qyetetarët përmes protestave po e kërkojnë një gjë të tillë".
"Në anën e kujt je kryeministër? Për ty më shumë ka peshë një ministër që vjen nga Serbia, sesa dëmet që i shkaktoi Serbia. Ai ministri yt nuk të njeh as ty as shtetin tënd. Ose shkarkoje ose ti bashkë me Lista Srpska shkoni bashkë ku të doni", tha Selimi.
Mbi 50 mijë qytetarë deri më tani, sipas Selimit, kanë protestuar nëpër komuna të ndryshme. Kryeministri Isa Mustafa nuk ndodhej në sallën e Kuvendit, gjatë fjalës së deputetit Selimi.
Ditët e fundit qytetarë të Kosovës po protestojnë kundër deklaratave fyese të zëvendëskryeministrit të Kosovës dhe ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandër Jabllanoviç, drejtuar qytetarëve të Gjakovës, të bëra gjatë një deklarate për shtyp në 6 janar./ATSH/