Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do mblidhen në dy seanca të jashtëzakonshme në sallën plenare. E para do të jetë në orën 11:00 ku si pikë e parë është renditur formimi i Komisioneve Parlamentare e më pas edhe tetë pika të tjera përfshirë atë për Buxhetin e vitit 2026, buxheti për RTK-në, si dhe ai për tri komuna, Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok. Pas saj pritet që në orë 14:00, të jetë seanca për zgjedhjen e qeverisë së re.
Në lidhje me këtë situatë në një lidhje të drejtëpërdrejtë në ‘Shtypi i Ditës dhe Ju’ analisti Lutfi Bilalli tha se e vetmja rrugë për të zgjidhur ngërçin politik në Kosovë janë zgjedhjet.
“Është hera e parë që shkohet në votim për qeveri. Mund të ketë ndonjë befasi, pasi është problematike që të gjithë deputetët nuk kanë dëshirë që të shkojnë në zgjedhje. Mendoj se shanset pët të marrë votat është e vështirë dhe zgjedhjet janë e vetmja rrugë. Kurti si mandatari i pare ka pasur 56 vota, se di nëse do ti arrijë Konjufca. Është e vështirë vetëm nëse kanë arritur të sigurojnë ndonjë votë”, tha Bilalli teksa theksoi se në darkë presidentja Vjosa Osmani mund të lajmëroi se vendi do të shkojë në zgjedhje.
Bilalli theksoi se përgjegjësia për këtë ngërç është mungesa e një ure lidhëse midis partive politike. Ai shtoi gjithashtu se disa duan ta shohin Kosovën në kaos.
"Përgjegjësia bie mbi të gjitha palët për të ndërtuar një urë lidhëse. Dikush ka dëshirë ta shohë Kosovën në kaos, dikush tjetër jo. Për shembull Serbia dëshiron të shoh destabilitet dhe fragmentim të popullit shqiptar. Bëjmë një vit që ne ecim në rrugë pa krye, për formimin e një qeverie. ne duhet të kemi një qeveri dhe partitë politike duhet të bashkëpunojnë me njëra tjetrën", tha ai.
Komente








