-Mustafa pritet të njohë Kuvendin për takimin në Bruksel me Vuçiç -
PRISHTINË, 11 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.- Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes ka në axhendë propozim-programin e punës së tij për vitin 2015, i hartuar në bazë të programit legjislativ të qeverisë, planeve të punës së komisioneve parlamentare dhe Planit të Veprimit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Për këtë vit qeveria e Kosovës ka parashikuar të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.
Shqyrtimin i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, është një nga pikat e tjera të seancës plenare të Kuvendit në 12 shkurt.
Kryeministri Mustafa, nëpërmjet një shkrese ka shprehur gatishmërinë për të njohur Kuvendin e Kosovës lidhur me takimin në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Kryesia e Kuvendit ka mirëpritur shkresën e kryeministrit, raportimi i të cilit pritet pas kthimit nga Brukseli, ku në orët e para të ditës së djeshme Kosova dhe Serbia në raundin e 24-të të takimeve të nivelit të lartë përfunduan dhe firmosën marrëveshjen për drejtësinë në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.
"Sot në mëngjes përfunduam një marrëvëshje shumë të rëndësishme, e cila siguron funksionimin e gjyqësisë në tërë territorin e Kosovës", u shpreh dje kryeministri Mustafa./k.s/










