/ATSH-B.Jashari/.-Kuvendi kosovar mblidhet sot në orën 10:00 në një seancë plenare, ku do të hidhet në votim projekt-rezoluta për pengimin e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës. Ndërsa një orë para seancës së Kuvendit mblidhet qeveria e Kosovës.

Gjatë debatit në seancën e kaluar, deputetët kërkuan "mobilizim të qytetarëve, shoqërisë civile dhe qeverisë së Kosovës që me një mobilizim të shtuar të angazhohen për të parandaluar procesin e rëndë të migrimit, duke krijuar kushte shoqërore e ekonomike, të cilat do të mundësonin që kosovarët të mos marrin rrugën e mërgimit", ndërsa kërkuan informata të sakta për numrin e të migruarve.

"Ikja e madhe, formë e protestës gjithëpopullore", është një kryetitull në shtypin e sotëm kosovar, ndërkohë që vetëm nga Prishtina mbrëmë janë nisur 10 autoubusë me kosovarë për në Serbi e më pas kalojnë në këmbë ilegalisht nëpër kufirin me Hungarinë drejt vendeve të BE-së. Shumë autobusë me kosovarë që migrojnë nisen çdo ditë e natë edhe nga qytete të tjera, ndërsa numri i të ikurve, edhe pse nuk ka shifra zyrtare, mendohet se gjatë muajve të fundit arrin mëse 30 mijë.

Vetëm në dy muajt e fundit, për shkak të migrimit, rreth një mijë nxënës janë më pak në shkolla të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, kanë bërë të ditur zyrtarë të komunës. Ndërsa nga komuna jugore e qytetit më të mdh verior të Kosovës, Mitrovicës, dje njoftohej për kërkesa të mëdha për dokumente të gjendjes civile dhe se "certifikata e lindjes me foto është nga më të kërkuarat dhe supozohet se ky është dokumenti që e shfrytëzojnë qytetarët për të ikur nga Kosova në drejtim të vendeve perëndimore, përmes Serbisë".
Në axhendën e përcaktuar në 2 shkurt nga Kryesia e Kuvendit për seancën e some është edhe interpelanca e kryeministrit, Isa Mustafa, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të
AAK-së, për përgjegjësinë e ministrit Aleksandar Jablanoviç për deklaratat e tij publike, ndërkohë që një ditë më pas, në 3 shkurt, kryeministri njoftoi se ministri nuk është më pjesë e kabinetit qeveritar.

Ministri serb Jaballanoviç ka deklaruar se nuk e pranon vendimin e kryeministrit Mustafa për shkarkimin e tij dhe ka paralajmëruar se qëndrimi i Lista Srpska se a do të mbetet në koalicion qeverisës me LDK-në dhe PDK-në do të merret në ditët e ardhëshme.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ka thënë se "nuk do të pranojmë poshtërimin e përfaqësuesve serbë" në institucionet kosovare. Sipas tij, vendimi për hapat e mëtejshëm do të merret pas takimit të përfaqësuesve serbë të Kosovës me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të enjten në Beograd.
Sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, e cila nisë me "koha për deklarime jashtë rendit të ditës" dhe "koha për pyetje parlamentare" priten edhe deklarime reaguese të deputetëve serbë, të cilët janë 10 aq sa edhe të komuniteteve tjera pakicë në parlamentin 120 anëtarësh, 100 prej tyre shqiptarë.