PRISHTINE, 2 Shkurt/ATSH/- Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha të hënën se ka kërkuar një takim me krerët e Lëvizjes Vetëvendosje, për tu informuar lidhur me protestat që planifikohet të mbahen të mërkurën.
Sipas agjencisë së lajmeve KosovaPress, deklarat e kreut të policisë së Kosovës u bë gjatë raportimit në komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Sipas Maxhunit, policia është e interesuar që të dijë nga Lëvizja Vetëvendosje veprimet të cilat do të ndërmerren në protestën e së mërkurës.
Maxhuni, bashkë me ministrin Hyseni, kanë dhënë shpjegime para deputetëve të komisionit lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. Gjatë mbledhjes së komisionit është vlerësuar se gjatë protestës së kaluar të së martës, organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe mbështetur nga partitë tjera opozitare ka pasur tejkalim të autorizimeve policore. Ndërsa është kërkuar një raport i plotë i ngjarjes. Por drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni tha se konkretizimi i raportit kërkon kohë të gjatë./kosovapress/. /a.gjonaj/ /a.g/