Kosovë – “Mbrojtja Civile” në veri drejt shpërbërjes


foto arkiv
PRISHTINË, 18 Gusht /ATSH-B.Jashari/.- Sipas shtypit të Kosovës, Mbrojtja Civile do të transformohet "në miniqeveri". Brenda pak ditësh pjesëtarët e kësaj strukture paramilitare do të nisin të zhvillojnë 'aktivitetin shtetëror' në zyra të njëjta në veriun e banuar me serbë, ku kanë vepruar prej vitesh ilegalisht".
Deri tani institucionet shtetërore të Kosovës kanë lidhur 105 kontrata me ta. Në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave janë rekrutuar 80 persona ndërsa në Shërbimin Korrektues 25. Në pritje të firmosjes së kontratave janë edhe 378 pjesëtarë të tjerë të Mbrojtjes Civile. Prej tyre 184 do të rekrutohen në 9 ministri. Të tjerë pjesëtarë do të shpërndahen në 7 agjenci, në Administratën Tatimore e në Doganë.
Ndërkaq një fond kontingjent do të përbëhet prej 50 pjesëtarësh që parashihet të marrin paga, por vendet e tyre përfundimtare të punës do të përcaktohen në sektorin publik përbrenda tre vjetësh.
Edita Tahiri, ministre për dialog, ka treguar të hënën se si do të kthehen në zyra qeveritare ndërtesat në të cilat Mbrojtja Civile ka zhvilluar veprimtarinë, e të cilat ndodhen në Mitrovicën Veriore, Leposaviç, Zubin-Potok e Zveçan", shkruan sot gazeta Koha Ditore me kryetitullin "Mbrojtja Civile transformohet në 'qeveri të veriut'".
Në 22 korrik, qeveria e Kosovës ka aprovuar konkluzionet e dakorduara për shpërbërjen e të ashtuquajturës "Mbrojtje Civile" e cila ka funksionuar në komunat veriore dhe integrimin e tyre në institucionet e Kosovës. Këto konkluzione janë arritur në kuadër të dialogut në Bruksel.
Vendimi është pjesë e përmbushjes së obligimeve të qeverisë së Kosovës që dalin nga dialogu dhe ofron bazën legale për institucionet e Kosovës që të bëjnë integrimin e 483 personave në institucionet legjitime të Republikës së Kosovës dhe shuarjen e këtyre strukturave ilegale.
Qeveria e Kosovës njoftonte në 26 mars 2015 se, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ishte arritur Marrëveshja për çështjen e të ashtuquajturës "Mbrojtja civile".
Me këtë rast, ministrja për Dialogun Edita Tahiri, e cila ka udhëhequr negociatat për këtë çështje ka deklaruar se, "arritja e kësaj marrëveshje mes tre palëve, Kosovës, Serbisë dhe BE-së e cila është përmbyllur ka një rëndësi të madhe sepse i jep fund strukturës ilegale të ashtuquajtur 'Mbrojtja Civile' dhe mundëson integrimin e ish-pjesëtareve të saj në institucionet e Republikës së Kosovës".
"Marrëveshja parashikon procesin e zhbërjes së kësaj strukture paramilitare dhe procesin e integrimit të individëve në institucionet civile të shtetit të Kosovës, specifikon obligimet e palëve dhe afatet kohore të zbatimit.
Marrëveshja parashikon mbylljen e të gjitha objekteve, zyrave dhe depove që kanë qenë në shfrytëzim nga kjo strukturë ilegale në komunat veriore të Kosovës dhe dorëzimin e tyre institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje duhet të zbatohet deri më 1 shtator 2015", theksonte ministrja Tahiri./m.m/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Kuvendi Rinor i Tiranës, Veliaj: Nuk ka forcë në botë që më ndalojë, të bëj fushatën më fuqishëm për fitoren e PS dhe Edi Ramës