PRISHTINË, 11 Shkurt/ATSH/.- Mësuesit dhe drejtoritë arsimore të komunave në Kosovë nënshkruan sot kontratat e përhershme, që ishin edhe një nga kërkesat e kontratës kolektive të Sindikatës së Arsimit.
Në mënyrë simbolike sot kjo kontratë u nënshkrua nga katër komuna si, Prishtina, Gjakova, Podujeva dhe Kamenica, ndërsa pritet të nënshkruhet me të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se "nënshkrimi i kësaj kontrate është hap shumë i rëndësishëm. Investimi në arsim pas shpalljes së pavarësisë është investimi më i mirë që mund t'i bëhet një vendi".
"Nënshkrimi i kësaj kontrate është një hap i rëndësishëm, pasi promovojmë një kontratë të përhershme model që ka qenë një nga kërkesat e kontratës kolektive në Sindikatën e Arsimit", nënvizoi Bajrami. Ai shtoi se po e mbrojmë arsimin parauniversitar nga tendencat e politizimit që shpeshherë në shoqëritë e tranzicionit janë shumë të vrazhda, ku fatkeqësisht ky politizim prek edhe mësuesit kur qeveritë ndërrohen.
Ministri Bajrami theksoi se "jemi duke punuar me shumë sinqeritet për të plotësuar edhe kërkesat e tjera të mbetura të kontratës kolektive. Sindikatat dhe faktorët e tjerë të kenë mirëkuptim, të jenë pjesë e dialogut social dhe të kuptojnë që gjërat lidhen me proces, është vullnet i plotë i kësaj qeverie që të punojë dhe të përkushtohet tërësisht në sektorin e edukimit jo vetëm në përmirësimin e bazës materiale, por edhe në përmirësimin e cilësive në edukim".
Mësuesja nga Gjakova, Eldita Mullahasani, tha se "pata fatin dhe privilegjin të jem njëra prej nënshkruesve të parë të kësaj kontrate kolektive me shpresë se do të zotohemi që të punojmë edhe më shumë, të përparojmë akoma më shumë në procesin edukativ dhe arsimor. Kjo kontratë na bënë të ndjehemi sa të privilegjuar aq edhe të detyruar ndaj detyrimeve tona duke shpresuar se do ta zbatojmë ashtu siç duhet dhe ashtu siç e kërkon detyra e mësuesit".
Mësuesit në Kosovë deri tani kanë pasur kontrata njëvjeçare, të cilat me ndërrimin e drejtorëve arsimorë të komunave, ka pasur raste që iu janë ndërprerë në fund të vitit.
Ndërkohë, nga ky vit të gjithë mësuesit në arsimin parauniversitar do të kenë kontrata të përhershme, të cilat mund të ndërpriten vetëm në rast të performancës së dobët në mësimdhënie./KosovaPress/k.s/