PRISHTINË, 19 Janar /ATSH/.- Ministria e Financave ka vendosur uljen e normave të interesave nga 15 në 11 përqind për të gjithë ato biznese që vonohen në pagimin e taksave.
Kështu ka bërë të ditur, Ministri i Financave, Avudllah Hoti, në 15 vjetorin e themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës.
Hoti po ashtu bëri të ditur se ata për të ardhmen po planifikojnë rolin e administratës tatimore dhe ta bëjnë atë organizatën kryesore të të hyrave buxhetore. Gjithashtu, ata do të bëjnë përpjekje që doganat të bashkohen me Administratën Tatimore në një organizatë të vetme të mbledhjes së të ardhurave.
Hoti theksoi se ulja është bërë në mënyrë që bizneseve t'iu bëhet sa më e lehtë puna e tyre. Ai shtoi se së shpejti do të ketë edhe masa të tjera lehtësuese për bizneset.
"Në ditët në vijim ne do të dalim me masa të tjera lehtësuese për të mbështetur bizneset.Me këtë rast dua t'i njoftoj bizneset se ne nuk do të vendosim asnjë tatim të ri ose nuk do të ndërmarrim asnjë veprim që do të rriste ngarkesën ndaj tyre, përveçse kërkojmë bashkëpunim shumë të ngushtë për të zvogëluar ekonominë joformale dhe atë jo përmes ndëshkimeve, por përmes stimujve që bizneset të kenë më të lehtë të funksionojnë brenda bizneseve", tha Hoti.
Ai po ashtu bëri të ditur se zyrtarët e kësaj administrate dhe të doganave e kanë mbështetjen e tyre të plotë, dhe ata të cilët sulmojnë apo kërcënojnë ata, do të përballen me organet.
Drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, tha se gjithmonë kemi pasur bashkëpunim të mirë me tatimpaguesit dhe se e gjithë ajo çfarë kanë arritur ata, është meritë e tyre.
Në fillim të themelimit, ATK ka qenë vetëm një administratë e vogël, ndërsa sot kjo Administratë Tatimore është bërë një organizatë e konsoliduar shtetërore që funksionon brenda Ministrisë së Financave për mbledhjen e të hyrave.
Sot mbi 700 zyrtar të administratës tatimore mbledhin mbi 300 milionë euro të hyra tatimore për buxhetin e Kosovës, e që sipas zyrtarëve të ATK-së, tendencat për të ardhmen e afërt janë që këto të hyra të rriten shumë më tepër./KosovaPress/k.s/











