PRISHTINË, 9 Mars/ATSH/.- Ministri i Financave, Avdullah Hoti, do të niset sot për në Austri, ku me ftesë të Guvernatorit të Bankës Kombëtare të Austrisë Ewald Nowotny, do të marrë pjesë në konferencën me temë "Ballkani Perëndimor" - 15 vite të tranzicionit ekonomik".
Sipas një njoftimi të kësaj ministrie, konferenca organizohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Kombëtare e Austrisë në koordinim me Joint Vienna Institute.
Në këtë konferencë do të diskutohet për politikat makroekonomike dhe strukturore, si dhe për zhvillimin dhe stabilitetin e sektorit financiar.
Gjatë vizitës në Austri, ministri Avdullah Hoti, sipas komunikatës për media pritet të takohet edhe me ministrin e Financave të Republikës së Austrisë, Hans Jorg Schelling./KosovaPress/k.s/










