PRISHTINË - Ministri i Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, priti sot në një takim kryetarin e komunës së Malishevës, Ragip Begaj, me të cilin bisedoi për Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2015 dhe për skemat e reja të mbështetjes.
"Ne synojmë fuqizimin e mëtejshëm të sektorit të bujqësisë", tha ministri Krasniqi duke shtuar se këtë vit kanë parashikuar zgjerim të mbështetjes edhe përmes pagesave direkte, të cilat sivjet për herë të parë do të ndahen edhe për pemëtari e për shumë sektorë të tjerë të bujqësisë.
Me këtë rast, ministri Krasniqi, e njohu kryetarin më hollësisht edhe për projektet zhvillimore të kësaj ministrie në kuadër të programit të këtij viti, në të cilat ai tha se "do të gjejnë mbështetje edhe fermerët e komunës së Malishevës, të cilët janë të dalluar në shumë sektorë të bujqësisë e blegtorisë. Ai inkurajoi kryetarin që si komunë të angazhohen në informimin më të madh të fermerëve me mundësitë që kanë për mbështetje nga qeveria, por edhe në këshillimin e tyre për bujqësinë.
Nga ana e tij, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, e uroi ministrin për detyrën dhe e falënderoi për gatishmërinë për avancimin e mëtejshëm të këtij sektori, i cili premton edhe zhvillim ekonomik të kësaj komune.
Ai e falënderoi ministrin për mbështetjen që MBPZHR-ja ka dhënë për komunën e Malishevës. Ministri Krasniqi tha se "kjo mbështetje do të vazhdojë edhe këtë vit, në kuadër të masave që do të përcaktojë Këshilli Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo"./ATSH/