PRISHTINË, 24 Shkurt / ATSH / - Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk ka prioritet më të rëndësishëm sesa zhvillimi ekonomik i vendit, tha sot kryeministri kosovar, Isa Mustafa, gjatë një vizite në Kuvendin e Odës Ekonomike të Kosovës, ku u takua edhe me përfaqësuesit e bizneseve.
Kryeministri kosovar theksoi se, "qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për partneritet me bizneset, në mënyrë që së bashku të krijojmë një aleancë të përbashkët për zhvillimin ekonomik të vendit". Mustafa po ashtu i njoftoi me reformat substanciale të qeverisë në krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Në këtë kontekst, kryeministri siguroi për angazhimin maksimal të qeverisë për krijimin e kushteve të barabarta për qasje në treg nga ana e bizneseve, duke eliminuar çdo formë të diskriminimit. Kryeministri Mustafa gjithashtu shprehu shqetesimin e qeverisë për pengesat me të cilat ballafaqohen bizneset kosovare si rezultat i mungesës së liberalizimit të vizave, duke dëmtuar bizneset kosovare dhe konkurrueshmërinë e tyre në raport me bizneset e vendeve të rajonit.
Mustafa i siguroi përfaqësuesit e bizneseve për masat që po ndërmerren dhe vendosmërinë e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat pengojnë investimet e huaja dhe zhvillimin e gjithanshem ekonomik të Kosovës./b.j/
/k.m//a.ke/








