PRISHTINË, 24 Dhjetor /ATSH/.-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, uron besimtarët katolik me rastin e festës së Krishtlindjeve, në telegramin drejtuar Ipeshkvit Imzot Dodë Gjergji dhe qytetarëve.
"Sot në ditën e Krishtlindjes, ju lutem pranoni urimet e mia më të sinqerta me shpresën se kjo festë do të sjell begati", shprehet ai.Mustafa thekson se, sigurisht se Krishtlindjet janë festa që sjell ndjenjën e bashkësisë, harmonisë dhe dashurisë ndaj njëri-tjetrit dhe të tolerancës në shërbim të paqes.
"Në këtë ditë duhet të kujtojmë se toleranca ndërfetare është traditë shekullore e jona dhe duhet ta ruajmë me kujdes dhe të krenohemi me të. Të kujtojmë se toleranca sjellë paqe dhe se njerëzit e paqes janë në shërbim të familjes, shoqërisë, vendit, në shërbim të Zotit", thekson kryeministri kosovar.
Sikur edhe çdo ditë tjetër, vijon Mustafa, edhe në këtë festë zemrat tona preken nga gjendja ekonomike e sociale e shumë familjeve në Kosovë."Edhe me këtë rast, shpreh përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të vihet në shërbim të qytetarëve për ta bërë jetën më të lehtë", shprehet Mustafa.
Gjithashtu, vijon kryeministri kosovar, shfrytëzoj rastin që të uroj edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, misionet diplomatike në Kosovë të cilët këtë vit janë larg familjeve të tyre që t'i shërbejnë vendit të tyre dhe qytetarëve të Kosovës./b.j//a.ke/









