PRISHTINË, 13 Shkurt /ATSH/- Shumë artefakte arkeologjike të gjetura nga dhjetë okacione të ndryshme të Kosovës dhe disa të tjera të gjetura nga qytetarët në shtatë vend -gjetje tjera, që nga sot do të jenë pjesë e ekspozitës "Arkeologjia 2014" në Muzeun Kombëtar të Kosovës.
Kjo ekspozitë, ka për qëllim që të prezantojë pasuritë dhe thesarin arkeologjik të vendit tonë, po ashtu, ajo ka shënuar edhe fillimin e aktiviteteve kulturore të organizuara nga Qeveria e Kosovës.
Në hapjen zyrtare të kësaj ekspozite të pranishëm ishin edhe krerë të lartë të vendit tonë, si presidentja, Atifete Jahjaga, e kryeministri ,Isa Mustafa.
Mustafa tha se këto artefakte janë vepër e punës gjatë vitit të kaluar, të dy institucioneve të rëndësishme të vendit, asaj të Arkeologjisë dhe të Muzeut të Kosovës.
"Dëshmia arkeologjike në përgjithësi ka një vlerë të veçantë kulturo-historike për çdo popull dhe në çdo vend. Në rastin tonë kjo tregon një të kaluar të begatshme të popullit dhe të vendit, ku kishte një civilizim qytetarë shumë të zhvilluar gjatë periudhave historike... lidhur me këtë dua të them se një popull, një vend pa civilizim, kulturë dhe traditë historike nuk ka të ardhme të shndritshme. Kështu ekspozita e sotme e arkeologëve, është vetëm një prezantim minimal i vlerave, trashëgimisë arkeologjike të vendit të cilat institucionet tona i posedojnë", tha Mustafa.
Enver Rexha, drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, tha se kjo ekspozitë përmban vetëm disa nga rezultatet e projekteve të realizuara nga këto dy institucione në vitin 2014.
"Me këtë rast ekspozita përmban, prezantimin e vetëm disa nga rezultatet e projekteve të realizuara nga instituti në vitin 2014. Nga projekte, hulumtime, gërmime arkeologjike në këtë rast do të prezantohen artefakte nga 10 lokacione të gërmuara. Derisa gjetjet e rastit do të prezantojnë artefakte të rastit, gjithsej nga 7 vende gjetje, apo lokalitet në të gjithë territorin e shtetit tonë. Lidhur me këtë ju njoftojmë se gjetjet e rastit, artefaktet arkeologjike që prezantohen sot, janë gjetur nga qytetarët e vendit disa vite më herët dhe disa më vonë", tha Rexha.
Milot Mustafa, ushtrues detyre i drejtorit të Muzeut të Kosovës, tha se kjo ekspozitë e këtyre dy institucione kulturore fillon ceremoninë në nderim të shënimit të shtatë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
"Më lejoni të shpreh kënaqësinë time që kjo ekspozitë e dy institucioneve tona Muzeut të Kosovës dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës fillon ceremoninë e aktiviteteve zyrtare në nderim të përvjetorit të shtatë të Pavarësisë së Kosovës. Në këtë ekspozitë ne prezantojmë punën një vjeçare të arkeologëve tanë, të cilët me përkushtim kanë realizuar aktivitet për një vit me radhë. Si dhe gjetjet e rastit të cilat janë gjetur nga qytetarët tonë si dhe institucioneve tona", tha Mustafa.
"Arkeologjia 2014", përmban artefakte të periudhave kohore parahistorike, antike dhe asaj mesjetare
/k.m/








