Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës bën të ditur se ka nisur procesi përgatitor për themelimin e KOSTT si zonë/bllok kontrollues i pavarur në kuadër të Zonës Sinkrone të Evropës Kontinentale.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik nëpërmjet një deklarate për mediat shpjegon se "Me nënshkrimin e Marrëveshjes për Energji mes të Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë nën ndërmjetësimin e Komisionit Evropian në shtator 2013, e cila rezultoi edhe me nënshkrimin e Marrëveshjes për Operim (inter-TSO Agreement) mes Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Serbisë (EMS) në shtator të vitit 2014, u krijuan kushtet për fillimin e procesit të anëtarësimit të KOSTT në mekanizmat ndërkombëtar relevant siç është ENTSO-E (European Netëork Transmission System Operators-Electricity)".
"Pas aktiviteteve intensive ndërmjet grupeve punuese të ekspertëve të KOSTT dhe të organizatës së Operatorëve Evropian të Sistemit të Transmisionit të energjisë elektrike (ENTSO-E), tashmë KOSTT është në proces të themelimit dhe operimit si zonë/bllok kontrollues i pavarur në kuadër të Zonës Sinkrone të Evropës Kontinentale. Operimi i pavarur i KOSTT si zonë/bllok rregullues pritet të jetësohet me nënshkrimin e Marrëveshjes për Kyçje i cili është edhe hapi i parë drejt anëtarësimit në ENTSO-E. Përkundër vështirësive që bëhen nga Operatori i Transmisionit të Serbisë (EMS) në proces, KOSTT dhe grupi punues i ENTSO-E janë duke punuar në procesin e vlerësimit të përmbushjes së standardeve teknike të operimit nga ana e KOSTT-it për operim si zonë/bllok i pavarur kontrollues" thuhet në deklaratë të Ministria e Zhvillimit Ekonomik së Kosovës.
Vlerësimi i përmbushjes së standardeve do t'i nënshtrohet një monitorimi gjatë muajve Gusht dhe Shtator dhe si kërkesë do të kenë regjime operimi që i nënshtrohen kritereve më të larta. Me finalizimin e këtij procesi, KOSTT do të mund të ushtroj mandatin e plotë si Operator i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës.












