'Blic' në veri/ 4 efektivë të plagosur, 30 të arrestuar! Vuçiç: Ushtria të jetë gati, humbëm kontrollin mbi Kosovën

Blindohet veriu i Kosovës! Forca të shumta policore kanë pëfunduar aksionin për arrestimin e personave që dyshohet se merren me kontrabandë në Zubin Potok dhe në pjesë të tjera të Veriut të Kosovës. Siç shkruajnë mediet kosovare, policia ka pasur edhe rezistencë të armatosur në veri, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur 4 efektivë. Aktualisht në pranga kanë rënë 30 persona, mes tyre edhe 10 policë.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj.

Lidhur me këtë aksion ka reaguar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili në një deklaratë për mediat, është shprehur se "vetëm po zbatohet ligji". E ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç i ka bërë thirrje ushtrisë që të jenë në gatishmëri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:26
'E kemi humbur kontrollin mbi Kosovën'/ Serbia miraton raportin

Kuvendi i Serbisë ka miratuar raportin për Kosovën të cilin e ka përpiluar zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Raporti u miratua me 145 vota për, katër kundër ndërkaq 13 deputetë nuk kanë votuar. Një pjesë e opozitës serbe nuk ka marrë pjesë në punimet e Kuvendit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç gjatë diskutimeve dyditore të raportit në Kuvendin e Serbisë ka thënë se “Serbia duhet ta pranojë se e ka humbur kontrollin mbi Kosovën dhe se duhet të gjejë kompromis me Prishtinën për të normalizuar raportet”.

Deputetët kanë diskutuar për raportin që ka 82 faqe dhe në të cilin në 17 faqe paraqiten të dhënat mbi dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nga viti 2013 deri në maj 2019, ndërsa pjesa tjetër paraqet “rezultatet më të rëndësishme të zyrës për Kosovën nga maji 2014 deri në vitin 2019”.

Në raport thuhet se dialogu në çdo drejtim ka punuar për interesant e serbëve si dhe gjatë periudhës së bisedimeve është arritur të ruhet qetësia në Kosovë dhe më gjerë.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve kanë filluar në vitin 2011. Palët kanë akuzuar njëra tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve të arritura në kuadër të këtij dialogu.

Pala serbe është tërhequr nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, prejse kjo e fundit, në nëntor të vitit të kaluar, u ka vënë taksë 100% mallrave të importuara nga Serbia.

Vuçiq ka thënë se nuk do t’i rikthehet procesit, i cili ka nisur në vitin 2011, derisa kjo taksë mbetet në fuqi, por kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka këmbëngulur se ajo nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën, shkruan gazetaekspres

Ora 18:42
Çfarë po paralajmëron Vuçiç: Tani gjërat në veri s’do të jenë të njëjta

1559061790_1558336219vucic.jpg
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se pas aksionit të sotëm të policisë speciale të Kosovës në veri, gjërat nuk do të jenë më të njëjta. Vuçiç u tha gazetarëve pas seancës së parlamentit për Kosovën se nesër ‘ne me siguri nuk do të themi se ajo çfarë ka ndodhur, nuk vlen. Do të ketë një qëndrim të ndryshëm ndaj negociatorëve shqiptarë dhe atyre që sot bën marri dhe thanë se ishte një luftë kundër korrupsionit” tha ai.

Ora 18:39
'Gati ushtria'/ Pas thirrjes së Vuçiç avioni luftarak serb fluturon drejt Kosovës


Një avion 'MIG 29' i ushtrisë serbe fluturoi sot mbi Novi Pazar drejt kufirit me Kosovën, shkruan Zëri.info. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç urdhëroi gatishmërinë luftarake të ushtrisë serbe pas intervenimit të njësive speciale të policisë së Kosovës në veri të Kosovës dhe arrestimit të serbëve. “Nëse ka ndonjë rrezik për rendin dhe jetën e njerëzve në veri të Kosovës, ushtria jonë do të mbrojë popullin tonë”, tha presidenti serb. Nga barakat e Ushtrisë së Serbisë në Kralevë, rreth orës 14:00, një kolonë e automjeteve ushtarake, të mbushura me njerëz dhe pajisje, filluan të dalin.

Ora 18:29
Aksioni në veri të Kosovës, arrestohen edhe dy zyrtarë të UNMIK-ut, njëri rus

1559061067_248987.jpg
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli shkruan se gjatë operacionit në veri janë arrestuar edhe dy zyrtarë të UNMIK-ut, njëri prej të cilëve është rus. "Sot, gjatë operacionit policor në veri të Kosovës, policia ka arrestuar një zyrtar ndërkombëtar të UNMIK-ut (shtetas rus) dhe një zyrtar lokal të UNMIK-ut. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës do ta trajtojë çështjen bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Policia e Kosovës ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për detajet e ngjarjes. Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur UNMIK-un për sqarime dhe do të vazhdojë të punojë ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit për të sqaruar situaten e pranisë së zyrtarit ndërkombëtar dhe lokal të UNMIK-ut në barrikadë" shkruan ai.

Ora 12:43
Përfundon operacioni policor në Kosovë/ 30 të arrestuar, mes tyre 10 policë

kosove.JPG" style="height:420px; width:720px" />

30 të arrestuar, mes tyre 10 policë në Prishtinë është bilanci i operacionit të bërë në veri të Kosovës. Nga shkëmbimi i zjarrit që ka pasur, janë mbetur të lënduar 4 efektivë, një prej tyre rëndë. Mediat kosovare raportojnë se aksioni policor ka përfunduar.

Ora 12:13
Aksioni i Policisë së Kosovës, KFOR: Ne vetëm do monitorojmë

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Graso ka reaguar lidhur me aksionin policor në  Kosovë. Ai ka deklaruar se në këtë operacion KFOR vetëm do ta monitorojë situatën dhe se qëllimi i tij nuk është "kundër serbëve", por për personat e përfshirë në korrupsion.

“Operacioni i Policisë së Kosovës po ndodh me urdhër të Prokurorit të Kosovës dhe nuk po ndodh vetëm në veri si dhe nuk është i drejtuar vetëm kundër serbëve, por ndaj të gjithë atyre që janë të përfshirë në krim dhe korrupsion. Ne jemi duke e përcjellë situatën tani për tani dhe jemi në kontakt me autoritetet e Prishtinës. Ky është një aksion normal i Policisë së Kosovës dhe KFOR vetëm do ta monitorojë situatën”, u shpreh Graso. 

Ora 10:15
Rritet bilanci/ Zëdhënësja e spitalit: 4 policë të plagosur, një rëndë

Katër policë kanë mbetur të plagosur gjatë aksionit në Veri të Kosovës. Lajmin është konfirmuar në një deklaratë për mediet nga zëdhënësja e Spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa.

“Për momentin katër policë janë të plagosur por që janë jashtë rrezikut për jetë. Tre prej tyre janë duke u trajtuar në Emergjencë dhe njëri në Kirurgji”, tha Mustafa.

Ora 09:51
VIDEO/ 200 policë në aksion, momenti i shkëmbimit të zjarrit me kriminelët në veri

Në aksionin e mëngjesit të sotëm në veri të Kosovës janë angazhuar 200 pjesëtarë të Policisë. Në video është momenti i shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe 'kriminelëve në veri të Kosovës. Gjatë aksionit policor ka pasur edhe rezistencë të armatosur nga pjesëtarë të këtij grupi kriminal, nga ku mbeti i plagosur një efektiv.

Ora 09:27
Pas aksionit në 'blic', Thaçi mbledh strukturat e sigurisë

Pas aksionit 'blic' në veri të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi në orët e para të mëngjesit ka mbledhur të gjitha strukturat e sigurisë në Kosovë. Mësohet se në takim është parë duke hyrë drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni, drejtori i Policisë si dhe udhëheqës të institucioneve të drejtësisë.

Ora 09:21
Arrestohet komandanti i policisë në Zubin Potok, serbët bllokojnë rrugën

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm kanë zbarkuar me aksione kontrolli në katër komunat e veriut me shumicë serbe. Siç shkruajnë mediet kosovare, mes të arrestuarve është arrestuar edhe komandanti i Policisë së Kosovës në Zubin Potok, i cili është i nacionalitetit serb. Megjithatë arrestimi i tij ka hasur kundërshti nga banorët, të cilët kanë bllokuar magjistralen drejt Mitrovicës duke e bërë të pamundur transportimin e tij. 

Ora 09:05
Arrestimet në veri të Kosovës/ Vuçiç: Ushtria të jetë në gatishmëri

1558333594_vucic.jpg

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka urdhëruar të gjitha njësitet e Ushtrisë së Serbisë të jenë në gjendje gatishmërie për një intervenim të mundshëm në Kosovë.

Mediat serbe raportojnë se reagimi i tij vjen pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës që raportohet se ka arrestuar disa pjestarë serbë të policisë në Mitrovicë, Zubin Potok dhe komuna tjera në veri të vendit, transmeton lajmi.net.

Vuçiç ka reaguar menjëherë duke ngritur ushtrinë në gjendje gatishmërie për ndonjë intervenim të mundshëm në Kosovë, raportojnë mediet kosovare.

Ora 08:59
Haradinaj reagon për operacionin në Kosovë: Serbët të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë ligjin

1557241823_autounnamed151557222664.jpg

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me operacionin që po zhvillohet në veri të Kosovës. Haradinaj thotë se bëhet fjalë për zbatim të ligjit dhe asgjë tjetër. Ai i bën thirrje serbërve të veriut të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë ligjin.

"Me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën aktualisht është duke ndodhur një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.

Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë.

Operacioni u zhvillua me sukses edhe në Komunat Veriore të Kosovës.

Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër.

Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin!", shkruan Haradinaj.

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën