PRISHTINË, 19 Dhjetor/ATSH/.- Ministrja për Dialogun Edita Tahiri priti sot Ambasadorin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger.
Në këtë takim u vlerësuan marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm mes Qeverisë së Kosovës dhe OSBE-së dhe u shpreh gatishmëria që në të ardhmen të ketë një bashkëpunim edhe më të madh për proceset e demokratizimit dhe fushat tjera të rëndësishme ku OSBE mund të japë kontribut.
Sa i takon dialogut të Brukselit, të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me ndërmjetësimin e diplomacisë evropiane është kontribut i drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe ndihmon Kosovën në rrugën e integrimit evropian.
Ministrja Tahiri e falënderoi Ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, Jean - Claude Schlumberger për vizitën dhe rolin që ka OSBE-ja në ndihmë të konsolidimit të institucioneve demokratike të shtetit të ri të Kosovës.
Ambasadori Schlumberger premtoi se misioni i OSBE-së do të vazhdojë që ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, në promovimin e të drejtave të njeriut, komuniteteve dhe për sundimin e ligjit./b.j//m.m/