Projekti, që financohet nga qeveria e Gjermanisë dhe do të implementohet nga misioni i OSBE-së, parashikon themelimin e një grupi kyç të hetuesve penalë dhe prokurorëve nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale, si dhe fuqizimin e kapaciteteve të tyre për të hetuar rastet e korrupsionit të nivelit të lartë në mënyrë efektive.
Sipas një njoftimi të OSBE-së, përfaqësues të institucioneve dhe agjencive të tjera përgjegjëse për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë, si Agjencia kundër-Korrupsionit, Njësia e Inteligjencës Financiare, Administrata Tatimore, do të marrin pjesë në aktivitetet e projektit, përfshirë trajnime, tryeza të rrumbullakëta, vizita studimore e konferenca rajonale.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës Gjermane Matthias Kiesler, Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni dhe Prokurori Special Besim Kelmendi, do të flasin në këtë ngjarje./Kosovapress/