Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se PDK dhe Aleanca kanë dorëzuar nënshkrimet dhe i kanë kërkuar kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, të thërrasë seancën për votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

"Kemi kërkuar seancë, nuk ka arsye pse mos të votohet ligji në lexim të dytë", tha Hamza në një konferencë për media.

Ai bëri të ditur se PDK u ka dërguar ftesë edhe deputetëve të Vetëvendosjes dhe LDK-së që të paraqiten në Kuvend dhe të marrin pjesë në votim.

Hamza përsëriti se nuk do të ketë një takim tjetër me kryeministrin Albin Kurti pa u votuar më parë ligji për Specialen. PDK kërkon që votimi i ligjit të përfundojë përpara se të vazhdojnë bisedimet për zgjedhjen e presidentit.

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara kaluan një ditë më parë në lexim të parë, por votimi i dytë dhe përfundimtar mbeti pezull. Vetëvendosje kërkon që të zgjidhet presidenti dhe të votohet edhe ligji, ndërsa PDK këmbëngul që fillimisht të përfundojë votimi për Specialen.


Lajmi kryesor:

Afati për presidentin skadon sot, Kosova ende pa marrëveshje! PDK nuk tërhiqet nga Specialja, pritet konferenca për shtyp e Kurtit! Protesta vijon jashtë Kuvendit (VIDEO)