Në prag të skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës - më 5 mars në mesnatë - Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet ka dalë zyrtarisht me kandidatin e saj për këtë pozitë - Glauk Konjufcën, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.
Për t’u caktuar seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, nevojitet edhe një kandidat tjetër.
Vetëvendosje u ka bërë thirrje partive opozitare më 4 mars që gjatë ditës së nesërme ta propozojnë kandidatin e tyre, duke u ofruar edhe nënshkrimet e nevojshme të deputetëve të saj - 30 sosh - në mënyrë të procesi të shkojë përpara.
Kjo parti pret që seanca për zgjedhjen e presidentit të mbahet brenda afatit, ndërsa në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje u tha se do të angazhohet edhe vetë kryeministri Albin Kurti.
“Do t'i vazhdojnë angazhimet e kryeministrit Kurti për të gjetur një zgjidhje, dhe pas kësaj unë jam shumë optimiste dhe pres, dhe u bëj thirrje krejt deputetëve që të mos e çojnë vendin edhe një herë në zgjedhje. Pra, kjo nuk është punë kushtëzimi, por përgjegjësie qytetare”, tha të mërkurën shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci.
Kjo parti ka numër të mjaftueshëm deputetësh për ta propozuar edhe një kandidat të dytë, por tha se për momentin po ia lë këtë mundësi opozitës.
Opozita e akuzoi Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje se nuk po kërkojnë konsensus për zgjedhjen e presidentit, por po e shtyjnë vendin drejt një krize të re politike dhe rrezikut për zgjedhje të reja.
Kandidaturën nga Vetëvendosje dukej se e priste edhe presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e cila edhe herën e parë ishte zgjedhur pas garë në një listë të përbashkët me këtë parti.
Nagavci tha se ky subjekt ia kishte ofruar mbështetjen për kandidim edhe asaj, përveç Konjufcës, por kjo u demantua shpejt nga kabineti i Osmanit, i cili tha se kjo është gënjeshtër.
Nagavci u kundërpërgjigj dhe tha se qysh sot ia garanton asaj nënshkrimet e nevojshme të deputetëve të Vetëvendosjes për kandidaturë.
Çfarë parasheh Kushtetuta?
Në nenin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit thuhet se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars, para se Vjosa Osmani ta mbyllë mandatin e saj më 4 prill.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin deri më 5 mars, vendi nuk do të përballet me zgjedhje.
Sipas tij, nëse nuk përmbushet ky afat 30-ditor, bëhet shkelje kushtetuese, por nuk ka pasojë juridike sikurse është shkuarja në zgjedhje. Miftaraj thotë se nuk ekziston një nen ku mund të bazohej dekreti për shpërndarjen e Kuvendit.
Si reaguan partitë tjera për emrin e Konjufcës?
Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), partia më e madhe opozitare në vend, deputetja Vlora Çitaku tha se "tashmë është e qartë: Albin Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total".
Çitaku shkroi në Facebook se "në kohën kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për maturi, unitet dhe përgjegjësi shtetërore, ai me vetëdije po e shtyn vendin drejt një krize të re politike".
Burime brenda PDK-së thanë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e kësaj partie nuk shkojnë fare në seancë "derisa ka kandidatë partiakë pa marrëveshje politike".
Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) tha në Facebook se “qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi".
Sipas LDK-së, për shkak të qasjes “së papërgjegjshme politike të VV-së, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja”.
Pse LVV-ja nuk e kandidoi Osmanin?
Kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur nga gazetarët më 2 mars pse nuk po e propozon Osmanin, ai ka lënë të kuptohet se ajo nuk gëzon mbështetje të gjerë, duke thënë se "ne duhet t'i kemi 80 veta që qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht".
"Prioritet absolut e kemi shmangien e zgjedhjeve të reja, duhet të sigurohemi që jo t'i kemi 80, por 84 apo 85", tha Kurti.
Emini: Një presidente e pavarur sot mund të bëhet një konkurrente e drejtpërdrejtë politike nesër
Donika Emini nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kosova u është qasur vazhdimisht zgjedhjeve presidenciale përmes cikleve të manovrimeve politike, e jo përmes ndërtimit të një konsensusi të mirëfilltë.
“Tani Kurti po i përdor numrat për ta arsyetuar vendimin e tij për Osmanin, megjithëse ai njihet për arrogancë ndaj numrave dhe për presion ndaj opozitës. Në këtë kuptim, një mandat i dytë për Osmanin nuk ishte kurrë i garantuar. Pavarësisht vlerësimeve të vazhdueshme të larta në publik, ajo nuk shihej domosdoshmërisht si një kandidate unifikuese parlamentare. Marrëdhëniet e saj me partitë opozitare kanë qenë të tendosura; madje as baza e saj politike, përfshirë GUXO-n, nuk e ka mbështetur kandidaturën e saj, kryesisht për shkak të përçarjeve me Donika Gërvallën. Legjitimiteti popullor nuk përkthehet automatikisht në aritmetikë parlamentare. Ky është realiteti në Kosovë”.
Sipas saj, rol në këtë situatë ka luajtur edhe “profili i fortë dhe i dukshëm ndërkombëtar i Osmanit”.
“Në një mjedis politik ku prestigji i politikës së jashtme ushqen autoritetin e brendshëm, kjo dinamikë është e rëndësishme. Për një kryeministër që ka qeverisur me një shumicë të fortë dhe kontroll të centralizuar politik, të mbetesh në hije në arenën ndërkombëtare nuk është çështje e vogël. Ka pasur gjithashtu momente fërkimi mes dy institucioneve: gjatë fazave të ndjeshme të dialogut të lehtësuar nga BE-ja me Serbinë, rreth aspekteve të Procesit të Berlinit dhe në menaxhimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara”.
Mes tjerash, ajo beson se “duke pasur parasysh karakterin e fortë politik të Osmanit dhe një shkallë të caktuar paparashikueshmërie, ai skenar paraqet pasiguri afatgjatë për Kurtin: një presidente e pavarur sot mund të bëhet një konkurrente e drejtpërdrejtë politike nesër”.
Sa i përket kandidaturës së Konjufcës, Emini beson se ky hap ka kuptim strategjik.
“Si figura e dytë më e votuar brenda Vetëvendosjes dhe ish-kryetar i Kuvendit, Konjufca sjell si legjitimitet elektoral, ashtu edhe përvojë institucionale. Në të njëjtën kohë, ai është një nga aleatët politikë më të afërt dhe më të besuar të Kurtit. Ky kombinim - qëndrueshmëri e fortë e brendshme, kredibilitet ndërpartiak dhe besnikëri personale - e bën atë një zgjedhje të parashikueshme dhe të harmonizuar politikisht”.
Prej ditësh, në media janë përmendur emra të ndryshëm si kandidatë të mundshëm, të cilëve më 4 mars u është shtuar edhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.
Një kandidat duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvendin me 120 karrige, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61.
Zhvillimet e sotme pasojnë një sërë takimesh të ditëve të fundit mes kryeministrit Kurti dhe liderëve të partive opozitare, si Bedri Hamza i PDK-së dhe dy takime të njëpasnjëshme të hënën dhe të martën me Lumir Abdixhikun e LDK-së.
Takimet përfunduan pa ndonjë marrëveshje konkrete dhe pa konsensus mes palëve për emrin e kandidatit për president./REL
Komente








