PRISHTINË, 8 Maj /ATSH-B.Jashari/.-Qeveria e Republikës së Kosovës, në një mbledhje sot pasdite, miratoi paketën e pesë ligjeve të propozuara nga Ministria e Drejtësisë.
Në këtë paketë përfshihen: projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës; projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës; projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit; projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatat dhe projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Kryeministri Isa Mustafa duke folur për rëndësinë e paketës prej pesë ligjeve në fushën e drejtësisë tha se, "kjo ka qenë dhe mbetet ndër prioritetet e qeverisë së Republikës së Kosovës, që lidhet me përmbushjen e kushteve dhe kritereve që janë të listuara për liberalizimin e vizave dhe si parakusht për marrjen e vendimit politik të Bashkimit Evropian me qëllim, heqjen e regjimit të vizave për Kosovën".
Ai theksoi se, tashmë janë siguruar ligjet, të cilat i sqarojnë kriteret për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe po ashtu sigurojnë pavarësi të gjyqësorit dhe prokurorisë.
Kabineti qeveritar pas shqyrtimit, miratoi edhe propozim-vendimin për t'i rekomanduar Presidentes, dhënien e autorizimit Ministrit të Shëndetësisë për nënshkrimin e Marrëveshjes në mes të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim "Programi për mbështetje shëndetësore'', faza e II-të.
Qeveria e Kosovës miratoi dhe dy nisma të propozuara nga Ministria e Punëve të Jashtme, përkatësisht, nismën për lidhjen e marrëveshjes me shtetin gjerman për punën fitimprurëse të anëtarëve të familjeve të anëtarëve të një misioni diplomatik apo posti konsullor të karrierës si dhe nismën për lidhjen e marrëveshjes dypalëshe për heqjen e vizave hyrëse për mbajtësit e pasaportave diplomatike, pasaportave të veçanta dhe atyre të shërbimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Katarit.
Më tej, kryeministri Mustafa prezantoi kërkesën për t'i propozuar Kuvendit tërheqjen e disa projektligjeve nga diskutimi në Kuvend, përkatësisht: Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Trashëgiminë Kulturore. Për këtë të fundit, kryeministri Mustafa theksoi se do të shihen disa përputhshmëri me kriteret e UNESCO-s, meqenëse tashmë po propozohet anëtarësimi në UNESCO.
Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka ngritur çështjen e kartonit të gjelbër dhe kërkesave të bashkatdhetarëve në diasporë për të gjetur mundësi për rregullimin e kësaj çështje.
Kryeministri theksoi se preokupimi që po shtrohet prej bashkatdhetarëve tanë që janë jashtë meriton të trajtohet dhe kujdes. "Ne do të ulemi gjatë javës me disa ministri përkatëse dhe të shohim si t'i orientojmë hapat. Ne do të bëjmë përpjekje edhe në Bruksel, meqenëse është biseduar shumë edhe është përafruar gati krejtësisht marrëveshja për njohjen e kartonëve të gjelbër", u shpreh kryeministri Mustafa. /m.m/








