/ATSH-B.Jashari/- Kosova mëngjesin e sotëm është mbuluar nga dëbora, e cila ka nisur të bie që ditën e djeshme, ndërsa meteorologët parashikojnë reshje të tjera këtë fundjavë dhe javën e ardhshme.
Policia e Kosovës bën të ditur se ka marrë të gjitha masat për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore dhe u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të kenë kujdes.
"Policia e Kosovës përmes planeve konkrete ka caktuar njësi policore të komunikacionit rrugor, të cilat do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme në rrugët urbane dhe në ato rajonale, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve të trafikut", thekson zëdhënësi Baki Kelani.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, sot dhe nesër do mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje dëbore vende-vende. Reshjet e dëborës, fillimisht do ta përfshijnë pjesën jugore dhe jugperendimore të Kosovës dhe më pas gjatë orëve të vona të së dieles gjithë territorin e vendit. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -8 der në 1 gradë celsius.
Ndërsa, gjatë javës së ardhshme, temperaturat maksimale nuk do të kalojnë mbi 1 gradë celsius, kurse minimalet do të zbresin nën -10C











