PRISHTINË - Në vendkalimin në Merdare, sot personeli i EULEX-it, që punon në kuadër të Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, do te pranojë nga autoritetet e Serbisë një numër të mbetjeve mortore të zhvarrosura gjatë gërmimeve të fundit në Rashkë. Po ashtu, me këtë rast do të pranohen edhe materiale dëshmuese dhe dokumente tjera, sapo njofton EULEX.
Bëhet e ditur se, këto mbetje mortore do të dërgohen në selinë e Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do të kryhet procesi i identifikimit dhe me pas mbetjet mortore do t'u dorëzohen familjeve me ndihmën e Komisionit për Personat e Pagjetur të Kosovës.
Deri më tani, Departamenti i Mjekësisë Ligjore i ka kryer 456 operacione në terren, gjatë të cilave mbetjet mortore të 413 personave u janë dorëzuar familjeve të tyre. Prej tyre, 315 ndodheshin në listën e personave të pagjetur.
Në Kosovë mëse 15 vjet pas luftës janë edhe mëse 1700 të zhdukur të pagjetur. Në takimin e djeshëm të Komisionit Qeveritar të Kosovës për Persona të Zhdukur është diskutuar mbi zhvillimet e fundit të ndërlidhura me 'rastin e Rudnicës/ Rashkës' - varrezës masive në Serbi, ku gërmohet në kërkim të zbardhjes së fatit të kosovarëve të zhdukur gjatë luftës./ATSH/