/ATSH/.-Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes të Ushtrisë së SHBA-së, nënkolonelin Bruce Murphy, me të cilin biseduan për bashkëpunimin në shëndetësi midis sektorit shëndetësor në Kosovë dhe segmentit të ushtrisë amerikane.

Sipas njoftimit për shtyp të MSH-së, gjatë takimit, Ministri Rrahmani shprehu falënderimin e Ministrisë së Shëndetësisë për projektet e ndihmës amerikane të realizuara dhe atyre në vazhdimësi si në Klinikën Infektive, atë të Neurokirurgjisë, Kirurgjisë Abdominale e Lavatorisë në QKUK dhe në spitalet rajonale.

Ministri Rrahmani dhe Murphy biseduan edhe për projektet e tjeran që mund të realizohen së bashku si dhe për seminarin në fushën e Menaxhimit shëndetësor, të organizuar nga Zyra e Bashkëpunimit të Mbrojtjes e Ushtrisë Amerikane, që do të mbahet prej 23-27 mars në Prishtinë.

Nënkoloneli Murphy shprehu gatishmërinë e shtetit të tij që të mbështesë edhe në të ardhmen projektet specifike që për qëllim kanë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Kosovës.