/ATSH/.- Me gjithë prezencën e madhe të borës, Policia e Kosovës njofton se në Prishtinë nuk ka numër të shtuar të aksidenteve dhe rrugët janë të kalueshme, ndërkohë që në pjesët e tjera të vendit raportohet për dhjetëra aksidente, ku ka pasur edhe të lënduar.

Sipas KosovaPress, pothuajse të gjitha komunat e Kosovës mbrëmë pas mesnate janë përballur me reshje të mëdha të borës. Në shumë prej rrugëve dytësore në Prishtinë sot është vështirësuar kalimi në rrugë për qytetarët. Kamera e KosovaPress-it ka filmuar një pjesë të rrugëve në kryeqytet. Disa prej rrugëve dytësore kanë mbetur të ngrira, e pothuajse të gjithë trotuaret kanë mbetur të papastruara, gjë që po paraqet mjaft vështirësi për këmbësorët.

Agron Borovci, zyrtar për informim për Policinë e Kosovës në rajonin e Prishtinës, tha për KosovaPress, se deri në këto orë nuk ka numër të shtuar të aksidenteve, sa i përket rajonit të Prishtinës. Ai tha se në këtë rajon të gjitha rrugët janë të kalueshme.

Sipas tij, vështirësi ka vetëm për ato vetura që janë pa pajisje dimërore.

Ai njofton se prezenca policore tashmë është me kapacitete të rritura, në mënyrë që të jenë në nivel të detyrës.