/ATSH/.- Në bisedimet e 9 shkurtit që do të zhvillohen në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tema qendrore do të jenë sistemi gjyqësor në veriun e Kosovës si dhe kodi telefonik. Këtë e konfirmoi në intervistë për RTK-në, kryeministri Mustafa.
"Sa i përket sistemit gjyqsor është punuar shumë, kanë qenë 16 takime vetëm për këtë temë. Ne nuk jemi te interesuar të hapim këtë çështje nga fillimi. Nëse ka pajtueshmëri për të arritur marrëveshje në disa nga çështjet që kanë mbetur të përfundohen do t'i përfundojmë, do t'i mbyllim. Marrëveshja për gjyqësorin do të arrihet gjithmonë duke ruajtur sistemin e gjyqësisë në Kosovë dhe gjithmonë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës", ka thënë kryeministër Mustafa. Duke folur për marrëveshjen për energjinë në veri, Mustafa tha se nuk do të lejojnë asnjë distributor tjetër përveç KEDS-it. "Për energjinë është diskutuar në nivelin teknik, ka pas përafrime dhe largime. Ne nuk do të lejojmë distributor tjetër në veri, në marrëveshje do të jetë vetëm KEDS-I, por kjo temë ne këtë takim nuk do te jetë, por në takimet e tjera", tha ai.
Mustafa tha se tani është e rëndësishme edhe shuarja e Mbrojtjes Civile në veri dhe hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë. Ai tha se këto tema i kanë hapur para ndërkombëtarëve dhe se për to do të diskutohet në Bruksel.

"Ka pasë afate të cilat është dashur të realizohen me mbështetjen e BE-së, është çështje që duhet të diskutohet dhe përse nuk po implementohet kjo çështje, dhe hapja e urës do të mundësonte edhe realizimin e marrëveshjeve të arritura atje", u shpreh Mustafa.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare në deklarimet e tyre kanë thënë se parku i paqes i cili zëvendësoi barrikadën me zhavorr, shpejt do të largohet, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Kryeministri Isa Mustafa, siguron qytetarët e Kosovës se në bisedimet që do të zhvillohen në Bruksel nuk do të flasin për Kombinatin Trepça. Ai tha se nuk ka pasur kërkesa për të biseduar për këtë çështje as nga Beogradi.
"Ne nuk do të pranojmë që çështja e Trepçës të vihet ne tavolinë, ata mund të kërkojnë por ne nuk pranojmë që Trepça të jetë pjesë e dialogut, është edhe mendim i ndërkombëtarëve jo vetëm i joni. Kjo është pasuri e Kosovës dhe për këtë çështje ne nuk do të diskutojmë. Për Trepçën do të vendosim në Kuvendin e Kosovës dhe jo të negociojmë me Serbinë", ka thënë Mustafa.

Mustafa theksoi se Trepça është tani në pronësi të Kuvendit i cili do të vendosë me votat e deputetëve.
"Nga e hëna do të fillojë trajnimi për propozimin e ligjit mbi kompanitë publike, pastaj Kuvendi vendos për të ardhmen e Trepçës. Janë deputetët që marrin përgjegjësinë dhe kanë votën e tyre për të vendosur", tha Mustafa.

Duke folur rreth mundësisë së shkarkimit të ministrit Aleksandër Jabllanoviç për të cilin po zhvillohen protesta, Mustafa tha se këtë çështje po e ndjekin me vëmendje.
Kryeministrat e rinj të Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, do vazhdojnë në shkurt të këtij viti dialogun në Bruksel në nivel të lartë pas 23 raundesh të kryeministrave të mëparshëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA. Do të jetë ky takimi i parë mes kryeministrave të rinj, të Kosovës Isa Mustafa dhe të Serbisë Aleksandar Vuçiç, të qeverive të zgjedhjeve të zhvilluara vitin e kaluar në të dy shtetet. Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar 23 raunde takimesh në nivel kryeministrash në Bruksel, së fundi në 31 mars - të tretin në vitin 2014. Atëherë kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç (aktualisht ministra të jashtëm) zhvilluan takimin e parë në 19 tetor të vitit 2012, gjatë të cilit kishte tre raunde.
Në vitin 2013, kur janë zhvilluar 17 raunde, Thaçi dhe Daçiç kanë nënshkruar në Bruksel, në 19 prill, Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të vlerësuar historike.