PRISHTINË, 18 Dhjetor/ATSH/.- Në ditën e dytë të qëndrimit në Bruksel, delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e radhës mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me lehtësimin e BE-së, ku u diskutua për çështjen e sigurimeve kufitare të automjeteve.
Në njoftimin zyrtar të kryeministrisë kosovare, bëhet e ditur se në këtë takim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Byrove Evropiane, palët diskutuan për rëndësinë e avancimit të këtij procesi që pritet të rezultojë me uljen e tarifave të sigurimeve të automjeteve duke përmirësuar më tej lëvizjen e lirë mes dy shteteve, në bazë të standardeve evropiane.
Takimi u zhvillua në një frymë të mirë dhe bashkëpunuese mes palëve në dialog për këtë çështje ku kontribut të veçantë dhanë Byrotë e sigurimeve të të dyja shteteve dhe Këshilli i Byrove Evropiane.
Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri theksoi rëndësinë e avancimit të procesit në drejtim të përfundimit të marrëveshjes kornizë për çështjen e sigurimeve kufitare për automjetet. "Përfundimi i kësaj marrëveshje mes përfaqësuesve të industrisë së sigurimeve të përfaqësuara nga institucioni përgjegjës, Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe institucionit homolog të Serbisë, do të kontribuoj në masë të madhe në uljen e çmimeve të sigurimeve kufitare dhe njëkohësisht edhe do të lehtësojë lirinë e lëvizjes mes dy shteteve fqinje", theksoi ajo.
Ministrja kosovare vlerësoi përparimet në këtë takim trepalësh dhe shprehu bindjen se të dyja palët duhet të fokusohen te interesi i qytetarëve, të cilët meritojnë një lëvizje të lirë pa ngarkesa financiare.
Në vazhdim të qëndrimit në Bruksel, ministrja Edita Tahiri zhvilloi një takim me Drejtorin për Evropën, Fernando Gentilini. Në takim u bënë shqyrtime dhe vlerësime për rrjedhat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe u ra dakord se dialogu i Brukselit ka prodhuar rezultate të rëndësishme, por mbetet edhe shumë punë për t'u bërë në të ardhmen ku angazhimi i të tre palëve është i domosdoshëm.
Ministrja Tahiri vlerësoi përkrahjen e Këshillit Evropian për integrimin e Kosovës dhe shprehu kënaqësinë që Kosova dhe BE do të nënshkruajnë së shpejti Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, duke hapur kështu një kapitull zyrtar të marrëdhënieve, që padyshim do të shërbejë si një motivim i fuqishëm për Qeverinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të vendit, në mënyrë që të intensifikojnë reformat evropiane dhe euro-atlantike në vend.
Gentilini nga ana e tij, shprehu përgëzimet për krijimin e Qeverisë në Kosovë, duke theksuar se pret që dialogu në nivelin politik të rifillojë sa më shpejtë. Ai theksoi nevojën e intensifikimit të dialogut të Brukselit duke paralajmëruar që takimi i radhës mes kryeministrave dhe përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini të mbahet gjatë muajit janar. /b.j//m.m/









