/ATSH-B.Jashari/.- Ka hyrë në fuqi të mërkurën, zbatimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për Njohjen e Reciproke të Sigurimeve të Automjeteve, të nënshkruar në Bruksel më 23 qershor 2015 në prani të kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe Serbisë si dhe Përfaqësueses së lartë të BE-së.
Kjo marrëveshje mundëson lirinë e lëvizjes së qytetarëve të të dyja vendeve me mjetet motorike të regjistruara në njërën nga shtetet, Kosovë ose Serbi, e që posedojnë sigurim të vlefshëm për territorin e palës tjetër. Me njohjen e policave të sigurimeve të automjeteve të lëshuara nga autoritetet respektive të Republikës së Kosovës, mundësohet liria e lëvizjes me çmime shumë më të lira.
Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që udhëtojnë nëpërmjet territorit të Serbisë janë të detyruar që të kenë në posedim të tyre përveç sigurimit/policës bazë për automjetet e tyre edhe MTPL Plus.
Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe Policia e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e rregullt dhe të përpiktë të kësaj marrëveshje.
Qeveria i fton qytetarët që të raportojnë pranë institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës për çdo parregullsi eventuale që mund ta hasin gjatë zbatimit të marrëveshjes, me qëllim identifikimin dhe eliminimin e tyre.
Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, duke përshëndetur hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje, e ka falënderuar Grupin e Punës për punën e palodhshme në arritjen e kësaj marrëveshje, me theks të veçantë në rolin e patjetërsueshëm të Bankës Qendrore të Kosovës si autoritet rregullativ i sektorit të sigurimeve, po ashtu Byronë Kosovare të Sigurimeve për zbatimin e saj dhe udhëheqësin e grupit teknik Rrahim Pacollin.
Në 23 qershor 2015, në Bruksel, në kuadër të takimit të raundit të 26-të kryeministror Kosovë-Serbi, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, është nënshkruar Marrëveshja për Sigurimet Kufitare të Automjeteve.
Në 5 gusht, delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e mbajtur në Bruksel lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve. Pas takimit u bë e ditur se, marrëveshja Kosovë-Serbi për sigurimin e automjeteve nis zbatimin në 12 gusht.