Raundi i 28-të Kosovë-Serbi në nivel kryeministrash në Bruksel, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, do të mbahet në 25 gusht, u bë e ditur sot në Prishtinë.
"Është paralajmëruar që takimi në nivel teknik do jetë në datën 24 gusht, ndërsa në nivel të kryeministrave në datën 25 gusht", tha kreu i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, sot në konferencë shtypi, duke u përgjigjur në interesimet e gazetarëve.
Në 30 qershor njoftohej se, nuk ishte arritur asnjë marrëveshje finale në bisedimet e raundit të 27-të në nivel të lartë kryeministror, të nisura një ditë më parë në mëngjes, e të përfunduara pas mesnate.
Në Bruksel, kryeministrat Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, do zhvillojnë takimin e pestë të tyre, ndërsa nga 27 raundet deri tani të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë, 23 ishin mes kryeministrave të atëhershëm, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
Takimi i parë kryeministror në Bruksel është zhvilluar në 19 tetor 2012. Bisedimet në nivel kryeministrash kanë pasuar dialogun teknik Kosovë-Serbi, të filluar në 8 mars 2011, po ashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tashmë ministre e Dialogut./m.m/