PRISHTINË, 23 Dhjetor /ATSH/.- Ministri kosovar i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, priti sot ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, në një takim ku u diskutua për bashkëpunim të ndërsjelltë mes dy shteteve, përkatësisht në fushën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore.
Ministri Zharku e informoi ambasadorin për zhvillimin e fushave që janë kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës, për problemet që po paraqiten në autostradën Morinë-Merdar "Ibrahim Rugova", si dhe përmendi propozimin për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, si mundësi konkretizimi në të ardhmen. Ai po ashtu, falënderoi ambasadorin për përkrahjen e vazhdueshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës, e sidomos të sektorëve që janë përgjegjësi e kësaj ministrie.
Ambasadori Minxhozi e uroi Zharkun për emërimin e tij dhe u zotua se Ambasada e Shqipërisë do të vazhdojë të përkrahë këtë ministri duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen. Ai konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Shqipërisë për zhvillimin e infrastrukturës rrugore përmes projekteve të përbashkëta rajonale./b.j//m.m/












