Kosovë-Shqipëri, e ardhmja me tren nga Prishtina

/ATSH-B.Jashari/.-Në relacionet Kosovë-Shqipëri në të ardhmen do udhëtohet edhe me tren, sipas projekteve të qeverive të dy shteteve, të clat do takohen së dyti në mars në Tiranë pas mbledhjes së parë të përbashkët historike para një viti, në 11 janar 2014, në Prizren.

"Do të përgatitet projekti për lidhjen hekurudhore me Shqipërinë", ka paralajmëruar kryeministri i Kosovës Isa Mustafa duke folur për bashkëpunimet mes dy vendeve në prezantimin e programit qeverisës me rastin e zgjedhjes së qeverisë së re në Kuvendin kosovar, të zgjedhjeve 2014.
"Bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri do t'i japim prioritet maksimal", ka theksuar kryeministri Mustafa në konferencën e parë për shtyp si kryeministër i qeverisë së re kosovare, duke theksuar axhendën  evropiane të përbashkët të dy shteteve, i pyetur nga ATSH.

"Hekurudha Shqipëri-Kosovë do të ketë një të ardhme për gjithë rajonin tonë me infrastrukturë evropiane, me të njëjtin standard", ka theksuar ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i pyetur nga ATSH, gjatë vizitës në Prishtinë javën e kaluar.

"Ne menjëherë do fillojmë nga një studim parafizibiliteti për të parë mundësinë e realizimit sa më të shpejtë të kësaj hekurudhe, por sigurisht ne do të shikojmë edhe në mënyrë strategjike, duhet të shikojmë edhe rrjetin rajonal, sepse ne jemi pjesë e një rajoni. Dhe, hekurudha besoj se do të ketë një të ardhme për gjithë rajonin tonë, pasi rajoni jonë është i tillë që duhet të integrohet sa më shumë mes vete dhe sa më shumë me Evropën", tha ministri  Haxhinasto.

Ministri shqiptar Haxhinasto ka deklaruar kështu pas takimit me ministrin kosovar të Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ndërsa është pritur edhe nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Më pas, ministri kosovar i Infrastrukturës, Zharku ka deklaruar për median se për hekurudhën Kosovë-Shqipëri në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive në mars të këtij viti do të arrihet marrëveshja për fillimin e studimit të parafizibilitetit.

Ai ka paralëjmëruar se, për ndërtimin e hekurudhës, pjesa e Shqipërisë 108 kilometra, ndërsa e Kosovës 17,  do të aplikohet për fonde në kuadër të Kornizës Investive për Ballkanin Perëndimor.

Me realizimin e projektit të hekurudhës, në relacionet Kosovë-Shqipëri do të mund të udhëtohet me tren edhe nga Prishtina. Nga kryeqyteti kosovar aktualisht mund të udhëtohet me tren në dy linja, drejt Maqedonisë-Shkupit dhe për në Pejë, me nisje në mëngjes siç ishin edhe sot. Trenat kalojnë nëpër Fushë-Kosovë, qytet kryesor i hekurudhave kosovare, prej nga mund të udhëtohet edhe në realcione të tjera.

Në vendkalimet kufitare Kosovë-Shqipëri viti 2014 ka shënuar rritje tëfluksit të njerëzve me 19,312 % dhe të automjeteve me 21,883 %, krahasuar me vitin 2013, bënte të ditur në fillim të 2015-tës Policia kosovare ekskluzivisht për ATSH-në.

Në tre vendkalimet, Vërmicë-Morinë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë në vitin 2014 kishte 4 262 588 hyrje-dalje të personave, 689 940 më shumë se në vitin 2013, kur kishte 3 572 648 hyrje -dalje.

Në këto tre porta kufitare në 2014 kishte 1 623 882 hyrje-dalje të automjeteve, 291 553 më shumë se në vitin 2013 kur kishte 1 332 329 hyrje-dalje.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ 69-vjeçari plagoset me mjet presës nga një 45-vjeçar, i moshuri goditi fillimisht me sende të forta