"Do të përgatitet projekti për lidhjen hekurudhore me Shqipërinë", theksonte i mandatuari për kryeministër të Kosovës, Isa Mustafa, duke prezantuar programin qeverisës në seancën e Kuvendit, të zgjedhjes së qeverisë së re, në dhjetor 2014. "Është fjala për një investim shumë të madh që duhet të bëhet", u shpreh kryeministri kosovar të enjten e kësaj jave, në një konferencë për shtyp, i pyetur nga ATSH ndërsa theksoi se, Kosova dhe Shqipëria në vitin 2016 inaugurojnë autostradën energjetike, ndërsa hekurudha që do i lidhë është projekt i së ardhmes.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i pyetur nga korrespondenti i ATSH gjatë vizitës në Prishtinë në 26 janar 2015 deklaronte se, "hekurudha Shqipëri-Kosovë do të ketë një të ardhme për gjithë rajonin tonë me infrastrukturë evropiane, me të njëjtin standard".
"Ne menjëherë do të fillojmë nga një studim parafizibiliteti për të parë mundësinë e realizimit sa më të shpejtë të kësaj hekurudhe, por sigurisht ne do të shikojmë edhe në mënyrë strategjike, duhet të shikojmë edhe rrjetin rajonal, sepse ne jemi pjesë e një rajoni. Dhe, hekurudha besoj se do të ketë një të ardhme për gjithë rajonin tonë, pasi rajoni jonë është i tillë që duhet të integrohet sa më shumë brenda për brenda por edhe me Evropën", theksonte ministri Haxhinasto.
foto arkiv
Ndërsa, ministri kosovar i Infrastrukturës, Zharku deklaroi atëherë për median se, për ndërtimin e hekurudhës, pjesa e Shqipërisë 108 kilometra, ndërsa e Kosovës 17, do të aplikohet për fonde në kuadër të Kornizës Investive për Ballkanin Perëndimor.
Me realizimin e projektit të hekurudhës, do të mund të udhëtohet me tren edhe nga Prishtina. Nga kryeqyteti kosovar tashmë mund të udhëtohet me tren në dy linja, drejt Maqedonisë-Shkupit dhe për në Pejë. Trenat kalojnë nëpër Fushë-Kosovë, qytet kryesor i hekurudhave kosovare, prej nga do mund të udhëtohet edhe në destinacione të tjera.
Në portat kufitare Kosovë-Shqipëri, në korrik 2015 ka pasur më shumë se një milion (1023970) hyrje-dalje të personave, afër gjysëm milioni (481933), apo afër dyfish më shumë se në korrikun 2014, kur kishe 542037 hyrje-dalje. Në qershor 2015 ka pasur gjithsej 500 288 hyrje dalje të personave, sipas të dhënave të njoftuara ekskluzivisht për ATSH-në nga Policia e Kosovës.