Shumë shpejt do vijmë më lajme të mira. Kështu u shpreh dje kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit që zhvilloi në një nga restorantet e Prishtinës me ish-presidenten Vjosa Osmani

Pas takimit që zgjati rreth dy orë, Osmani e ka cilësuar atë si një takim miqësor, duke deklaruar shkurt për media se bëhej fjalë për “kafe mes miqsh”.

Ndërkohë, Abdixhiku është pyetur nga gazetarët nëse është arritur ndonjë marrëveshje konkrete, por ai nuk ka dhënë detaje.

Megjithatë, ai ka lënë të kuptohet se zhvillime të rëndësishme mund të pasojnë së shpejti, duke theksuar se shumë shpejt do të vijnë lajme shumë, shumë të mira.

“Nuk është i pari e as s’do të jetë i fundit dhe shumë shpejt do të vijmë me lajme të mira. Pjese substanciale e kthimit të madh të LDK-së, por shumë shpejt vijmë me lajme të mira”, ka thënë Abdixhiku, transmeton IndeksOnline.

Takimi u zhvillua në një nga restorantet e Prishtinës, në një kohë kur vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit

Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.

Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit. Shpërndarja e Kuvendit të martën nënkupton se zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme. Si rrjedhojë, ishin vetëm dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme sipas procedurave ligjore: 31 maj dhe 7 qershor.