“Jemi lodhë!” – me këtë apel të fortë, punëtorët e sektorit privat dolën sot në protestë në Prishtinë, duke kritikuar drejtpërdrejt institucionet në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Protesta, e organizuar nga Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat, nisi në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe vijoi me marshim drejt zonës mes ish-objektit të “Gërmisë” dhe ndërtesës së Qeverisë.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si: “Mos na shkelni, mjaft pritëm”, “Për pesë vite në punë vdiqën 97 punëtorë” dhe “Jemi lodhë, Parlament–Qeveri të kujt jeni?”. Sipas sindikatës, 1 Maji këtë vit vlerësohet si “vdekjeprurës” për punëtorët në Kosovë.

Të dhënat e saj tregojnë se deri më 24 prill kanë humbur jetën dhjetë punëtorë në vendin e punës. Edhe viti i kaluar rezultoi i rëndë, me 32 punëtorë të vdekur. Sipas Inspektoratit të Punës, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 602 raste të lëndimeve në vendin e punës, 33 për qind e tyre në sektorin e ndërtimit.

Sindikatat kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për kushtet e punës dhe pagat në sektorin privat, duke theksuar se në disa raste punëtorët paguhen deri në 239 euro në muaj, veçanërisht në kompanitë që ofrojnë shërbime për institucionet shtetërore. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të kaluar janë evidentuar mijëra shkelje të të drejtave të punëtorëve, përfshirë punësim pa kontrata dhe probleme me pagat dhe orarin e punës.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i të punësuarve në vitin 2025 ka kaluar mbi 400 mijë, ndërsa që nga viti 2018 rreth 170 persona kanë humbur jetën në vendin e punës. Paga minimale në vend u rrit në 425 euro në janar dhe parashikohet të arrijë në 500 euro në korrik.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:40
1 Maji në Kosovë, Kurti: Nga korriku paga minimale arrin në 500 euro

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shfrytëzuar 1 Majin për të paralajmëruar rritjen e pagës minimale në 500 euro nga 1 korriku. Në një mesazh me rastin e Ditës së Punëtorëve, Kurti vlerësoi rolin e punëtorëve në ndërtimin e shtetit, duke theksuar se ata kanë qenë shtyllë e qëndresës edhe në periudhat më të vështira.

Ai tha se paga minimale është rritur nga 170 në 425 euro dhe se kjo ka ndikuar drejtpërdrejt rreth 150 mijë punëtorë në vend. Kurti përmendi edhe programin “Superpuna”, përmes të cilit janë punësuar mbi 23 mijë të rinj, si dhe vendosjen e pagës së 13-të në sektorin publik. Sipas tij, gjatë mandatit të qeverisë, numri i të punësuarve është rritur nga rreth 350 mijë në 435 mijë.

Ai u ndal edhe te sfidat, duke theksuar mungesën e organizimit sindikal në sektorin privat, ndërsa përmendi edhe masat sociale si rritja e pensioneve dhe mbështetja për familjet. Në fund, Kurti rikujtoi historinë e 1 Majit, që lidhet me protestat e vitit 1886 në Çikago, duke theksuar se të drejtat e punëtorëve “nuk dhurohen, por fitohen”.